2014-02-19 18:59:38

Këshilli i kardinajve propozon reformat e dikasterve ekonomike të Vatikanit dhe të IOR-it


Përfundoi sot mbledhja e tretë e Këshillit të tetë kardinajve, të cilët, që nga 13 prilli i kaluar ndihmojnë Papën në qeverisjen e Kishës e në studimin e një projekti reformash për Kurien Romake. Sot pasdite, ata u takuan edhe me kardinajtë, anëtarë të Këshillit të pesëmbëdhjetë prelatëve, që merret veçanërisht me problemet ekonomike dhe organizative të Selisë së Shenjtë. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në takimin me gazetarët, sqaroi se Atit të Shenjtë i është dorëzuar një propozim për reforma:
“Këshilli i tetë kardinjave ka punuar intensivisht dhe ka vendosur, nga ana e tij, disa orientime, të cilat ia ka paraqitur Atit të Shenjtë. Kanë të bëjnë me dy fusha: njëri, me strukturën e përgjithshme ekonomiko-organizative të Selisë së Shenjtë dhe, i dyti, me Institutin për Veprat Fetare (IOR), argument më specifik e i kufizuar”.
Atë Lombardi shpjegoi më pas si do të zhvillohet mbledhja e nesërme në Vatikan, gjatë së cilës, kardinajtë do të diskutojnë temat e Sinodit për familjen. Ndërkaq, Këshilli i tetë kardinajve do të vazhdojë të takohet nga 28 deri më 30 prill e nga 1 deri më 4 qershorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.