2014-02-19 12:32:39

Kisha anglikane: për doktrinën e krishterë martesa është e tillë vetëm ndërmjet burrit e gruas


Pas disa muajsh diskutime, Kisha anglikane e Anglisë pohon se, sipas “kuptimit të krishterë dhe doktrinës”, martesa “është bashkimi për të gjithë jetën i një burri me një grua” dhe, pavarësisht zhvillimeve të legjislacionit të një vendi në lidhje me martesat gay, kjo doktrinë ”mbetet e pandryshuar”. Komunikata u shpërnda të shtunën e kaluar në Londër me nënshkrimin e dy autoriteteve më të larta të Kishës anglikane, Kryeipeshkvi i Kantërbërit Justin Welby dhe Kryeipeshkvi i Yorkut John Sentamu. Qëndrimi i tyre kishte ngjallur shumë pritje edhe për shkak të mundësive, që janë hapur, hap pas hapi, për martesat gay nga zhvillimet ligjore të kohëve të fundit. Në vitin 2005 ligji lejoi partneritetin civil të çifteve homoseksuale; në qershor 2013 u legalizua martesa homoseksuale dhe më 29 mars të këtij viti në Britaninë e Madhe do të jetë e mundur të kremtohen martesat e para gay.
“Jemi të vetëdijshëm – shkruajnë kryeipeshkvijtë Welby e Sentamu – se në Kishën e Anglisë do të ketë disa vetë, që do t’i përgjigjen lejimit të martesave të njerëzve të së njëjtës gjini. Si ipeshkvij, jemi menduar e jemi lutur së bashku për këto zhvillime”. “Nuk jemi të gjithë në një mendje për secilin aspekt të përgjigjes, që duhet të japim si Kishë. Megjithatë, jemi të gjithë në një mendje se kuptimi i krishterë dhe doktrina e martesës, si bashkim për tërë jetën i një burri me një grua, mbeten të pandryshuara”. Prandaj është e qartë se “nuk do të jetë e mundur të kremtohen martesat e personave të së njëjtës gjini në Kishë”. Pas këtij sqarimi, ipeshkvijtë shprehin angazhimin e tyre për kujdesin baritor ndaj këtyre çifteve dhe për pjesëmarrjen e tyre në sakramente.








All the contents on this site are copyrighted ©.