2014-02-19 12:32:28

Egjipt: mblidhet në Kairo këshilli kombëtar i Kishave


Kryetarët e Kishave më të mëdha të krishtera në Egjipt, ku bën pjesë edhe patriarku kopt katolik Ibrahim Isaak Sidrak, u mblodhën të martën, pranë katedrales kopte ortodokse të Shën Markut, në Kairo, për të kremtuar përvjetorin e parë të themelimit të Këshillit kombëtar të Kishave të krishtera. I pranishëm edhe patriarku kopt ortodoks Tawadros II. Para një viti, më 18 shkurt 2013, përfaqësuesit më të lartë të pesë Kishave – kopte ortodokse, kopte katolike, greke ortodokse, protestante dhe anglikane – kishin nënshkruar, pranë kësaj katedraleje, aktin e themelimit të këtij Këshilli me vlerë të madhe ekumenike. Sipas ipeshkvit kopt katolik të Asiutit, Kyrillos William, “themelimi i Këshillit kombëtar të Kishave është një fakt i rëndësishëm për të gjithë ne dhe frytet e para mund t’i peshojmë që tani në nivelin vendor: gjatë javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve u pa se populli besimtar është i lumtur, kur i sheh kryetarët e kishave të krishtera duke u lutur së bashku. Këtë vit, për herë të parë, një ipeshkëv kopt katolik, mëkëmbësi patriarkal Hanna Golta, predikoi në një Kishë kopte ortodokse. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë”.
Sipas ipeshkvit kopt katolik të Asiutit, klima e re e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të Kishave të ndryshme të krishtera është krijuar kryesisht falë vullnetit të mirë dhe mendjes së hapur ekumenike të Tawadrosit. Këshilli kombëtar i Kishave në Egjipt ka një komitet kryesie (i përbërë nga pesë kryetarët e Kishave të përfshira), një sekretari të përgjithshme (e përbërë nga pesë përfaqësues të Kishave të ndryshme dhe aktualisht e drejtuar nga prifti kopt ortodoks Bishoy Helmy) dhe një komitet ekzekutiv, i përbërë prej pesëmbëdhjetë anëtarësh. Nga ky këshill varen pesëmbëdhjetë komisione, që punojnë në fusha të veçanta, të cilat janë duke u vënë në veprim dalë-ngadalë. Ndër ta spikat komisioni teologjik, i cili, me kalimin e kohës, mund të shqyrtojë, në nivel vendor, temat e diskutueshme, si pagëzimi, që koptët ortodoksë u japin të krishterëve të Kishave të tjera, kur hyjnë në Kishën e tyre. Atë Bishoy Helmy ka deklaruar para pak kohësh se ndërmjet koptëve ortodoksë e katolikë ekzistojnë 15 çështje doktrinarë dhe teologjike të pazgjidhura, për të cilat mund të hapen bisedimet. Për sa u përket çështjeve politike – kujton ipeshkvi Kyrillos – “statutet sqarojnë se Këshilli nuk merret me to drejtpërdrejt dhe nuk dëshiron t’i kushtëzojë të krishterët në formimin e lirë të opinioneve të tyre. Por sigurisht, të gjithë, si qytetarë, e kanë për detyrë të shprehen, kur bëhet fjalë për të mirën e vendit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.