2014-02-18 10:53:13

Rabini Rozen: shtegtimi i Papës në Tokën e Shenjtë do të sjellë fryte bashkimi, shprese, paqeje


Papën Françesku e duan të gjithë e në Izrael pritet me entuziazëm të përgjithshëm vizita e tij, mesazhi i tij i dashurisë, që s’është tjetër, veçse mesazhi i krishterimit e edhe i hebraizmit. Është ky, pohimi i rabinit David Rozen, drejtor ndërkombëtar i punëve ndërfetare të American Jewish Comittee (Komitetit Hebraik Amerikan), pas takimit të Atit të Shenjtë, të enjten, më 13 shkurt, me 55 anëtarët e organizatës që, siç theksoi vetë Papa, gjatë shumë vitesh dha një kontribut të rëndësishëm për dialogun ndërmjet hebrenjve e të krishterëve. Pasditën e 13 shkurtit, rabini Rozen u takua me shtypin në selinë e emitentes sonë. RealAudioMP3

Edhe kush nuk ka të bëjë me Kishën Katolike, edhe kush nuk ka të bëjë fare me fenë, mbetet i mahnitur nga prania e Papës Françesku, nga qenia e tij. E ndjejmë veten të mirëpritur, si njerëz të familjes: kështu u shpreh rabini David Rozen, pas audiencës tek Papa i cili, në fjalën drejtuar Komitetit Hebraik Amerikan, kujtoi edhe shtegtimin e afërt në Tokën e Shenjtë, duke uruar të sjellë fryte bashkimi, shprese e paqeje. Ja edhe mendimi i rabinit Rozen:

Përgjigje: - I would like his visit to be longer, …
Do të më pëlqente që kjo vizitë të ishte më e gjatë, por pritja pozitive është e garantuar për shkak të asaj karizme të pabesueshme, dhuruar Papës. Të gjithë e presin, e të gjithë e dinë se Papa u flet atyre e është me ta, gjë që ka rëndësi të pallogaritshme, posaçërisht në zonën e konfliktit të Tokës së Shenjtë.

Pyetje: - Në takimet tuaja në Vatikan u fol mjaft për lirinë fetare, sot në rrezik për shumë të krishterë në botë, ashtu si edhe për hebrenjtë…

Përgjigje: - Unfortunately, anti-semitism in a very resistant virus, …
Për fat të keq, antisemitizimi është virus shumë rezistent e vijon të ekzistojë, madje në shumë zona bëhet edhe më i fortë. Por realiteti i sotëm tregon se gjithnjë më shpesh të krishterët pësojnë kundërshtime të përafërta: jetojnë ku nuk mund të dëshmojnë haptazi se janë të krishterë, e kjo mund të varet nga ndjenjat antifetare në përgjithësi, ose nga fondamentalizmi i një tradite, që nuk lejon të dëshmohet një traditë tjetër fetare. E kjo gjë ndodh në vise të ndryshme të botës. Duke pasur parasysh se të dyja palët e provojmë këtë fenomen, kjo na ngarkon me detyrën të punojmë edhe më shumë së bashku, kundër çdo lloj kufizimi ose kërcënimi të lirisë fetare.

Pyetje: - Diçka për shëndetin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve?

Përgjigje: - It gets healthier and healthier every day. …
Bëhet gjithnjë më i shëndetshëm. Sepse i kthyem shpinën së kaluarës tragjike, duke rizbuluar se jemi vëllezër e motra, ndonëse kemi ndryshime, që nuk i interpretojmë saktësisht në të njëjtën mënyrë. Por, siç është shprehur filozofi Martin Buber: “Kemi një libër të përbashkët, e nuk është gjë e vogël”. Gjithsesi duhet bërë akoma rrugë për ta njohur njëri-tjetrin. Duhet, pra, ta thellojmë njohjen tonë reciproke e të punojmë së bashku për vlerat që na bashkojnë e në të cilat besojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.