2014-02-18 10:48:53

Nga Benedikti XVI, tek Papa Françesku: libër i ri i dy vatikanistëve


Këto ditë u fol shumë për kryevjetorin e dorëheqjes së Benediktit XVI. Heqje dorë, që e trandi mbarë botën e cila, 40 ditë më pas, pa Papën Françesku duke kremtuar Meshën e fillimit të papnisë. Pikërisht kjo kohë është në qendër të vëmendjes në librin e ri, titulluar “Kreshmët e Kishës”, botuar nga Tau, shkruar nga dy vatikanistë: Andrea Gagliarducci e Marco Mancini. Po, si lindi kjo ide? Na e rrëfen njëri nga autorët, Marco Mancini: RealAudioMP3

Përgjigje: - Të them të vërtetën, ideja lindi duke pirë një kafe, në përfundim të një takimi të shkurtër, gjatë Selisë Vakante. Pse të mos e tregonim këtë, që po jetonim? E, dalëngadalë, u ulëm pranë tavolinës dhe studiuam mundësitë e shumta, që na paraqiteshin për hartimin e këtij libri. Së fundi, zgjodhëm formën e kronikës së fakteve, duke nisur nga ngjarjet që i paraprinë dorëheqjes, që të kuptohej pse e zgjodhi Papa këtë rrugë. Shkruam, pastaj, për Selinë Vakante, për hapat e para të Papës Françesku, duke i ballafaquar edhe me ato të Benediktit XVI, pikërisht sepse kemi dy papë të gjallë e kjo nuk është parë që në kohën e Gregorit XII, në vitin 1415. E pastaj shkuam pakëz më përtej: ndoqëm Papën Françesku në lëvizjet e tij të para, në mënyrën si lëvizi e si po lëviz. Edhe në këtë drejtim ka një vazhdimësi të madhe, si në aktet e drejtimit, ashtu edhe, për shembull, në transparencën financiare. Françesku trashëgoi shumë gjëra nga Benedikti XVI: luftën kundër pedofilisë, sidomos, betejë e mirëfilltë, që e luftoi Benedikti XVI e po vijon ta luftojë edhe Françesku.

Pyetje: - Në mesazhin e tij për Kreshmë, Papa Françesku flet për një kohë “zhveshjeje”. Çfarë kohe është ajo, që tregoni në libër?

Përgjigje: - Është kohë e fortë. Kohë e fortë, ashtu si e parashikon Liturgjia. Kohë, që ndahet në dy pjesë: e trishtimit, për dorëheqjen e Benediktit XVI - rrufe në qiell të kthjellët - siç e quajti kardinali Sodano, e koha e pritjes për arritjen e Papës së ri, 40 ditë! Kur Benedikti XVI njoftoi se po jepte dorëheqjen, ishte data 11 shkurt 2013; Papa i ri u zgjodh më 13 mars, për të filluar, pastaj, papninë, më 19 mars. Pra pothuajse 40 ditë, një përkim i qëlluar me Kohën e Kreshmëve.

Pyetje: - Kohë ndryshimesh për Kishën, pra: ju, ç’ndryshime ju ranë në sy më shumë gjatë kësaj periudhe?
Përgjigje: - Në të vërtetë shikoj ndryshime në vazhdimësi. Në këtë periudhë – e kemi parë të gjithë - u bënë ballafaqime ndërmjet dy papëve: Papës së nderit e Papës në papni: ka ndryshim stili, vizioni, por edhe, e sidomos, vazhdimësi të madhe, vazhdimësi në magjister, sepse roli i papës është pikërisht ky. Çdo papë e jeton papninë sipas ndjeshmërisë së vet, sipas karakterit të vet, po unë shikoj vazhdimësi të madhe. Një vazhdimësi, që mund të shihet edhe në ndryshimet ndërmjet dy personaliteteve; vazhdimësia është ajo e misionit të Shën Pjetrit dhe të Kishës katolike, që vijon prej më se dymijë vjetësh!







All the contents on this site are copyrighted ©.