2014-02-17 15:10:39

Papa: durimi i popullit të Zotit në vështirësitë e jetës e bën Kishën të ecë përpara


Durimi i popullit të Zotit, që i përballon me fe të gjallë vështirësitë e përditshme të jetës, ëshë forca, që e çon Kishën përpara: këtë pohoi Papa Françesku sot paradite gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Durimi nuk është nënshtrim, është tjetër gjë! Papa komentoi Letrën e Shën Jakobit, i cili vijon të na kujtojë: “Çmojeni si gëzim të vërtetë vëllezër, kur të provoni gjithfarëlloj vështirësish”. Kjo tingëllon si ftesë për t’u bërë fakir, vërejti Papa, por nuk është ashtu. Durimi, aftësia për t’i mbartur provat, gjërat, që nuk i dëshirojmë, na bën të fitojmë pjekurinë. Kush nuk ka durim, e do gjithçka aty për aty, me nxit. Kush nuk e njeh urtinë e duresës, nënvizoi Papa Françesku, është njeri tekanjoz, si fëmijët, që bëjnë naze. E kështu nuk mund t’i shkojnë punët mbarë. Njeriu, që nuk ka durim, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk rritet kurrë, mbetet gjithnjë çilimi e nuk di ta marrë jetën si të vijë. Njeh një rrugë të vetme, e të shpejtë: “Këtë, ose asgjë!”. E ky është tundim: të shtyn të bëhesh njeri me teka. Një tundim tjetër i atyre, që nuk janë durimtarë, pohon Papa, është ngulmi, me të cilin e duan shpejt e shpejt gjënë e dëshiruar, siç ndodh me farizenjtë, që i kërkojnë Jezusit një shenjë nga qielli; “Donin të shikonin një shfaqje, një mrekulli”:
“E ngatërrojnë mënyrën e veprimit të Zotit me atë të veprimit të një shtrigani, Po Zoti nuk vepron si shtrigan, Zoti ka mënyrën e vet për të ecur përpara. Durimi i Zotit! Edhe Ai ka durim. Sa herë shkojmë kah Sakramenti i Pajtimit, i këndojmë Zotit himnin e durimit! Jeta e krishterë duhet të jetohet nën tingujt e durimit, sepse është pikërisht muzikë e etërve tanë, të cilët iu bindën Urdhërimit, që i pati dhënë Zoti atit tonë, Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i paqortueshëm!”.
Populli i Hyjit, pohoi Papa duke cituar Letrën drejtuar Hebrenjve, vuajti shumë; e persekutuan, e mbytën, por pati gëzimin t’i përshëndeste nga larg premtimet e Zotit. Ky është durimi, që duhet ta kemi të gjithë përballë vështirësish, durim i njerëzve të burrëruar, durim i Zotit, që na mban mbi shpatulla. E ky, vijoi, është durimi i popullit tonë:
Sa i durueshëm është populli ynë! Edhe sot e kësaj dite! Kur shkojmë ndër famulli, i gjejmë këta njerëz, që vuajnë, që kanë probleme, që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara ose të sëmurë e, megjithatë, e çojnë përpara jetën, me durim. Nuk kërkojnë shenja, si ata të Ungjillit, që lypnin një shenjë. Thoshin: ‘Na e jep një shenjë!’. Jo, nuk kërkojnë, por dinë mirëfilli ‘t’i lexojnë shenjat e kohëve’: e dinë se kur mugullon fiku, vjen pranvera; dinë ta dallojnë këtë. Ndërsa të padurueshmit e Ungjillit të sotëm, që donin një shenjë, nuk dinin t’i lexonin shenjat e kohëve, prandaj edhe nuk e njohën Jezusin”.
Papa e përfundoi homelinë duke i lavdëruar njerëzit e popullit tonë, njerëz që vuajnë, që mundohen shumë, që pësojnë shumë, por nuk e humbasin kurrë buzagazin e fesë, gëzimin e fesë:E këta njerëz, ky populli ynë, në famullitë tona, në institucionet tona, e çon përpara Kishën, me shenjtërinë e saj, ditë për ditë. ‘Vëllezër, vlerësojeni si gëzim të vërtetë, kur pësoni çdo lloj prove, duke e ditur se nga feja juaj, e vënë në provë, buron durimi e durimi e përsos veprën e Zotit në shpirtin tuaj, që të jeni të përkryer e të ndershëm, pa asnjë të metë (Jak 1,2-4). Zoti na dhëntë të gjithëve durim: durimin gazmor, durimin e punës, të paqes, na dhëntë durimin e Tij e na dhëntë durimin e popullit tonë besnik e shembullor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.