2014-02-17 11:53:25

Masakrohet një tjetër fshat i krishterë në Nigeri


“Situatë dramatike, me dhunë të tmerrshme e të mnershme, që godet një numër të madh njerëzish të pafajshëm, ndër të cilët shumë të krishterë”. Kështu u shpreh drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, mbi tragjedinë që ndodhi në Nigeri natën ndërmjet të shtunës e të dielës. Një grup xhihadistësh sulmoi fshatin Izge, në shtetin verilindor të Bornos, nën britmën “Allah Akbar”. Numri i sigurt i të vdekurve është 63, por disa burime flasin për 100 të vrarë. “Të lutemi për viktimat – shtoi Atë Lombardi – dhe të shpresojmë se autoritetet e caktuara të gjejnë udhët për ta ndaluar këtë dhunë absurde”.
Për momentin flitet për 63 të vdekur, por nuk përjashtohet që numri i viktimave të rritet, gjatë hetimit të mëtejshëm të pasojave të sulmit. Të mbijetuarit, shumë prej të cilëve të krishterë, ende të tronditur, i treguan policisë se viktimat janë prerë në qafë me thika, ose janë vrarë me armë zjarri dhe se mësymësit, pasi kanë plaçkitur disa depozita ushqimore, janë larguar me rreth dhjetë makina xhip. Sulmi ndodhi jo larg kufirit me një shtet tjetër të Nigerisë verilindore, ku kërkuan strehim shumë prej të mbijetuarve. Bëhet fjalë për një zonë, ku është në fuqi ligji për gjendjen e jashtëzakonshme, miratuar nga qeveria e Abuxhës, për të ndaluar kryengritjen e dhunshme të grupit ekstremist islamik Boko Haram, që vijon prej katër vitesh. Duhet të mbajmë parasysh se, që të mërkurën e kaluar, aviacioni nigerian, me mbështetjen e reparteve të këmbësorisë në prapavijë, ka nisur bombardimet sistematike për shkatërrimin e çerdheve ekstremiste në afërsi të fshatit Izge, në pyllin e Sambisë, përgjatë kufirit me Kamerunin. Duket se terroristët kanë goditur jo vetëm për të frikësuar armikun, por mbi të gjitha për të treguar se mund të përdorin një tjetër mënyrë luftimi, gjakatare e shkatërrimtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.