2014-02-16 17:47:26

Përfundon vizita “ad Limina” e ipeshkvijve çekë: intervistë me imzot Hučko


Përfundon nesër, vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Republikës Çeke. Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti posaçërisht besimtarët, të cilët këto ditë i shoqëruan barinjtë e tyre. Ndërsa të premten e kaluar, në takimin me prelatët, i ftoi t’i kushtojnë vëmendje të posaçme punës baritore me familjen, pa harruar sfidat e shekullarizmit e të relativizmit. Për gjendjen e familjes në këtë vend flet, në mikrofonin tonë, imzot Ladislav Hučko:

Përgjigje: - Duke folur përmbledhtas, mund të thuhet se gjendja e familjeve në Republikën Çeke nuk ndryshon shumë nga ajo e Evropës. Por nuk mungojnë edhe veçantitë, pasojë e historisë së familjes, sidomos gjatë periudhës së regjimit komunist. Pastaj, pas kthesës së 1989-tës, pranuam, ndoshta me shumë iluzione, gjithçka vinte nga jashtë e nuk arritëm ta asimilojmë.
Pyetje: - Cilat janë, në këtë çast, objektivat e punës suaj baritore?

Përgjigje: - Mendojmë, duke folur edhe me Këshillin Papnor për Familjen, se duhet të nisemi nga të rinjtë, e ne po përpiqemi ta bëjmë këtë. Ka qendra baritore në dioqezat e ndryshme, të cilat punojnë për t’i përgatitur çiftet për martesë. Shikojmë se familjet, që e jetojnë martesën janë, në masë të madhe, shumë më të qëndrueshme sesa të tjerat.

Pyetje: - Këto janë nisma të rëndësishme, parë edhe në këndvështrimin e Sinodit të ardhshëm kushtuar familjes…
Përgjigje: - Përpiqemi gjithnjë t’i thellojmë këto tematika, me vetëdijen se gjendja nuk varet vetëm nga baritoria jonë, por edhe nga një mori elementesh të tjera, që veprojnë në mjediset tona e ndikojnë mbi to. Kujtoj, për shembull, ligjet e paraqitura nga politikanët në parlamentin evropian, e edhe elementet e pranishme në mjediset e tjera teologjike, filozofike, antropologjike e psikologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.