2014-02-16 15:09:23

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’u jepet fund thashethemeve, fjalët mund të vrasin, pajtimi, të japë jetë


Edhe fjalët, përgojimet, thashethemet, mund të vrasin. Të jetojmë në paqe me të afërmin, prandaj. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve. Papa kujtoi edhe se dashuria e Zotit nuk mund të matet. Shkon gjithnjë përtej çdo mase e llogarie njerëzore.

Të pajtohemi, e menjëherë, me vëllezërit tanë. Para se t’ia shprehim Zotit devocionin tonë në uratë! Për këtë i nxiti Papa gjithë të krishterët në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke reflektuar për faqen e Ungjillit të kësaj së diele si dhe për Fjalën në mal, Predikimi i parë i madh i Jezusit, Papa kujtoi qëndrimin e Krishtit ndaj ligjit hebraik: Jezusi, shpjegoi, dëshiron t’i çojë drejt përmbushjes urdhërimet, që Zoti i dha përmes Moisiut. Kjo përmbushje, shtoi, kërkon drejtësi të lartë e bindje të vërtetë. E më pas Papa u ndalua posaçërisht tek Urdhërimi i pestë: “Mos vrit!”:
“Jezusi na kujton se edhe fjalët mund të vrasin! Kur thuhet për ndonjë njeri se ka gjuhë gjarpëri, ç’ kuptojmë me këtë? Kuptojmë se fjalët e tij të vrasin! Prandaj jo vetëm që nuk duhet cënuar jeta e të afërmit, por nuk duhet as të derdhim mbi të helmin e urrejtjes e ta gjuajmë me armën e shpifjes”.
“Mos shpërrallo!”, ishte porosia e Papës; jepi fund një herë e mirë thashethemeve, sepse me to mund edhe të vrasësh; mund të vrasësh emrin e mirë, por edhe jetën e tjetrit:
Në fillim thashethemet mund të duken të këndshme, madje mund edhe të na dëfrejnë, si karamelet. Por në fund na e mbushin zemrën me hidhëti e na helmatisin edhe ne vetë. Jam i bindur se po të premtojë secili nesh për të ndenjur larg thashethemeve, më në fund do të bëhet shenjt”.
Jezusi, vijoi Papa, i propozon njeriut, që e ndjek, përsosurinë e dashurisë, një dashuri, masa e vetme e së cilës është se nuk ka kurrfarë mase, mbasi shkon përtej çdo kufiri e llogarie njerëzore:
“Dashuria ndaj të afërmit është sjellje aq themelore, sa Jezusi arrin të pohojë se lidhja jonë me Zotin nuk mund të jetë e sinqertë, nëse nuk duam të jetojmë në paqe me të afërmin”.
Prej këndej, shikojmë se Krishti nuk i jep rëndësi vetëm zbatimit të disiplinës dhe sjelljes së jashtme, por shkon deri në rrënjë të Ligjit, duke vënë theksin mbi ndjetet, mbi zemrën e njeriut, prej nga burojnë sjelljet tona të mbara e të mbrapshta:
Për t’u sjellë mirë e ndershmërisht, nuk mjaftojnë normat juridike, por duhen arsye të thella, shprehje e dijes së fshehtë, Dijes së Hyjit, që mund të fitohet falë Shpirtit Shenjt. E ne, përmes besimit në Krishtin, mund t’ia hapim zemrat veprimit të Shpirtit Shenjt, që na bën të aftë për ta jetuar dashurinë hyjnore”.Në dritën e këtij mësimi të Krishtit, vërejti Papa, çdo ligj zbulon domethënien e vet të plotë, si kërkesë dashurie, me qëllim që të gjithë t’i shtrohen ligjit më të madh: “Duaje Zotin me gjithë zemër e duaje të afërmin si vetveten”.

Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përshëndeti të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërmjet të cilëve, një numër i madh besimtarësh nga Republika Çeke, që shoqëruan ipeshkvijtë e tyre, këto ditë për vizitë ad Limina në Vatikan. Më pas u drejtoi fjalën edhe disa grupeve shtegtarësh spanjollë e italianë.







All the contents on this site are copyrighted ©.