2014-02-16 13:07:27

Jepet çmimi ndërkombëtar Karlo Maria Martini


Dje në Milano, u dha për herë të parë “Çmimi Ndërkombëtar Karlo Maria Martini”, në praninë e kryeipeshkvit të qytetit italian, Anxhelo Skola. Për Seksionin I, ku përfshihen të gjitha punimet që kontribuojnë në “studimin e në njohjen e mendimit e të figurës së kardinalit Martini”, çmimi iu dha Cristiana Dobner për një ese të pabotuar, e cila propozon biografinë e kardinalit në këndvështrimin e dashurisë së tij për Izraelin, edhe përmes përzgjedhjes së disa teksteve pak të njohura të tij. Titullohet “Tepria. Ti, Karlo Maria Martini, çfarë thua për Jeruzalemin?” Në këtë seksion, mori çmimin edhe Nicola Salvi për doku-filmin “Karlo Maria Martini, njeri i Zotit”. Në 55 minuta përvijohet jeta e kardinalit, kushtuar Fjalës së Zotit, përmes dëshmisë së laikëve e rregulltarëve, që e kanë ndjekur me vëmendje magjisterin e tij.
Në Seksionin II hyjnë punimet, që kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Biblës e kulturës, në fusha të ndryshme si art, letërsi, filozofi, shkencë, ekonomi, politikë etj.. Çmimi iu dha italianit Raffaele Mellace për monografinë mbi Johann Sebastian Bach, si edhe tre studiuesve vietnamezë për librin “Bibla dhe kultura aziatike”.
Morën vlerësim të veçantë veprat e tre autorëve, që kanë pasur lidhje me kardinalin Martinin, prandaj sjellin dëshmi e dokumente tepër të sakta për jetën e tij: Marco Garzonio për librin “Profeti. Jeta e Karlo Maria Martinit”; Damiano Modena për “Karlo Maria Martini, Heshja e Fjalës”; Aldo Maria Valli për “Historia e një njeriu”.







All the contents on this site are copyrighted ©.