2014-02-14 07:46:20

Papa për shkollat katolike: me identitetin tonë, takohemi me rrymat e ndryshme të botës


Edukimi është njëra nga sfidat më të rëndësishme për Kishën. E theksoi dje Papa Françesku, në takimin me asamblenë plenare të Kongregatës për Edukimin Katolik. Papa vuri theksin mbi vlerën e dialogut në institutet arsimore katolike dhe tha edhe një herë se të rinjtë kanë nevojë “jo vetëm t’ua shpallim, por t’ua dëshmojmë” vlerat. Edukimi, pohoi Papa, është vepër dashurie.
“Një kantier i madh, i hapur”, “njëra ndër sfidat më të mëdha të Kishës”. Me këto fjalë e përshkroi Papa Françesku rëndësinë qendrore të edukimit në “një kontekst historik e kulturor, që ndryshon pandarë”. Pastaj, pasi e vuri theksin tek binomi edukim-ungjillëzim, u ndalua tek tre aspekte, duke filluar nga “vlera e dialogut në edukim”, sepse në shkollat katolike shkojnë edhe jo të krishterë e mosbesimtarë:
“Institutet katolike u ofrojnë të gjithëve një platformë edukuese, që ka si qëllim zhvillimin tërësor të personit dhe i përgjigjen të drejtës së të gjithëve për të arritur dijen dhe njohuritë. Por, të gjithëve duhet t’u ofrojnë njësoj, në respekt të plotë të lirisë së secilit dhe të metodave përkatëse të mjedisit shkollor, platformën e krishterë, domethënë Jezu Krishtin, që i jep kuptim jetës, kozmosit dhe historisë”.
Papa përmendi faktin se Jezusi e kumtoi lajmin e mirë në “Galilenë e paganëve”, “udhëkryq i njerëzve të ndryshëm për nga raca, kultura dhe feja”. Ky kontekst, vërejti, “ngjan, në një farë mënyre, me botën e sotme”. Në të njëjtën kohë, Papa pohoi se “ndryshimet e thella” të sotme kërkojnë që edukatorët të ballafaqohen e të dialogojnë “me besnikëri të guximshme dhe të hapur ndaj risisë, në mënyrë që identiteti katolik të takohet me rrymat e ndryshme të shoqërisë shumë-kulturore”. Aspekti i dytë, që u vu në dukje është ai “përgatitjes cilësore të formuesve”, të cilët, tha Françesku, “nuk mund të sajohen”. Papa Pohoi se “edukimi i drejtohet një brezi që po ndryshon dhe, prandaj, çdo edukator – dhe gjithë Kisha, që është nënë dhe edukatore – është i thirrur të ndryshojë, në kuptimin se duhet të dijë të komunikojë me të rinjtë, që ka përballë”:
“Edukimi është vepër e dashurisë, është dhurimi i jetës. Dashuria është kërkuese, kërkon të përdorim pasuritë më të mira, të rizgjojmë pasionin e të vihemi edhe një herë në udhë, me durim, bashkë me të rinjtë. Edukimi nëpër shkollat katolike duhet të jetë para së gjithash shumë kompetent, cilësor, dhe në të njëjtën kohë plot njerëzi, me aftësinë për të qëndruar mes të rinjve me stilin pedagogjik, për ta ndihmuar rritjen e tyre njerëzore e shpirtërore”.
“Të rinjtë – tha më tej Papa – kanë nevojë për cilësinë e mësimdhënies dhe njëkohësisht të vlerave, jo vetëm të shpallura, por të dëshmuara”. “Koherenca – theksoi – është faktor i domosdoshëm për edukimin e të rinjve”. “Nuk është e mundur t’i ndihmojmë të rriten, nuk mund t’i edukojmë, pa koherencë, prandaj duhen koherenca dhe dëshmia. Për këtë arsye, “edhe vetë edukatori ka nevojë të formohet përherë”, kështuqë duhet “investuar, që docentët dhe drejtuesit të mund ta mbajnë lart profesionalitetin e tyre, por edhe fenë dhe motivimet e tyre shpirtërore”. Për këtë Papa tha se janë të nevojshme “tërheqja në lutje dhe ushtrimet shpirtërore për edukatorët”.
“Është bukur të bësh këtë e atë, por është e domosdoshme të bëjmë edhe kurset e ushtrimeve shpirtërore, të tërhiqemi, për t’u lutur! Sepse koherenca është një përpjekje, por është mbi të gjitha dhuratë e hir. E duhet ta kërkojmë!”.
Në përfundim, Papa u ndal tek “institutet edukuese”, domethënë shkollat dhe Universitetet katolike e kishtare. Të shpërndara në të gjithë botën, këto institute kanë “përgjegjësinë për të shprehur praninë e gjallë të Ungjillit në fushën e edukimit, të shkencës e të kulturës”:
“Duhet që institutet akademike katolike të mos izolohen nga bota, por të dinë të hyjnë me guxim në aeropagun e kulturave aktuale dhe të dialogojnë, të vetëdijshëm për dhuratën që kanë për t’u dhënë të gjithëve”.
Në këtë kantier të hapur, përfundoi Papa, “duhet ta nxisim edhe më shumë” angazhimin edukues të Kishës katolike “në të gjitha nivelet dhe duhet t’i përtërijmë detyrat e të gjitha subjekteve të angazhuara aty, në perspektivën e ungjillëzimit të ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.