2014-02-14 14:36:53

Papa: i krishteri duhet të jetë gjithnjë qengj e ta mundë tundimin për t’u bërë ujk


I krishteri nuk ndalet kurrë, ecën gjithnjë përtej vështirësive. Këtë pohoi sot Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në sa Kisha kremton festën e Shenjtorëve Çirili e Metodi, Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek identiteti i dishepullit. Ungjilli, vërejti, kumtohet me gëzim. Ankimet nuk e kënaqin Zotin. E aq më pak tundimi për t’u bërë ujk ndërmjet ujqve, në një botë, që e përsërit tepër shpesh shprehjen ‘njeriu është ujk për njeriun”. Po kjo nuk përkon fare me Ungjillin e Krishtit, që kërkon nga njeriu, të jetë qengj për njeriun.RealAudioMP3

Si duhet të jetë, atëherë, dishepulli i Krishtit? Papa Françesku e mori shtytjen nga figura e Çirilit dhe e Metodit për ta shpjeguar këtë identitet. E, duke komentuar Leximin e parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, nënvizoi se i krishteri është njeri ‘i dërguar’. Zoti i dërgon dishepujt e vet, u kërkon të shkojnë përpara. E kjo, vërejti, do të thotë se i krishteri është dishepull i Zotit, që ecën, shtegton, shkon gjithnjë përpara:
“Nuk mund as të mendohet një i krishterë i palëvizshëm. I krishteri, që rri ngrirë, është i sëmurë në identitetin e vet të krishterë, ka ndonjë lëngatë identiteti. Të krishterët janë dishepuj për të ecur, për të lëvizur, për të shkuar. Zoti, e këtë e dëgjuam edhe nga Psalmi, i fton e u thotë: ‘Shkoni në mbarë botën e kumtoni Ungjillin’. Shkoni! Ecni! Lëvizni. Ja, sjellja e parë e identitetit të krishterë është të ecë, të lëvizë e, nëse ndesh vështirësi, t’i kapërcejë”.
E kjo, shtoi Papa, i ndodhi Palit në Antioki të Pisidies, ku hasi vështirësi me bashkësinë e hebrenjve. E atëherë lëvizën drejt tij paganët. Ecën. Jezusi, kujtoi më pas Papa, na nxit të shkojmë në udhëkryqe e t’i ftojmë të gjithë: të mirë e të këqij. Kështu thotë Ungjilli, pohoi Ati i Shenjtë: “Edhe të këqijtë. Të gjithë!”. I krishteri, pra, duhet të ecë, e në se ndesh vështirësi, t’i kapërcejë, për të kumtuar mbretërinë e Zotit, që është pranë.
Një aspekt tjetër i identitetit të krishterë, vijoi Françesku, është që i krishteri të mbetet gjithnjë qengj. Sepse është qengj, e duhet të ruhet i tillë. Zoti na dërgon “si qengja në mes të ujqve”. Por, vijoi Papa, ndonjëri mund edhe të propozojë të përdoret forca kundër ujqve. Të mendojmë Davidin, vërejti, kur u nis të luftojë kundër filisteut: deshën ta mbërthejnë me gjithë armaturën e Saulit, aq sa nuk do të mund të lëvizte. Kështu i stisur, nuk do të ishte më ai vetë, Davidi i përvuajtur, çobani i thjeshtë. Në fund, la armaturën, mori hobenë dhe e fitoi betejën:
Si qengja… Mos u bëni ujq… Sepse nganjëherë tundimi të bën të mendosh: ‘Po kjo është e vështirë, këta ujq janë dinakë, e unë, edhe më dinak se ata, e? Qengj! Jo budalla, po qengj! Qengj. Me dinakëri të krishterë, po gjithnjë qengj. Sepse po të jesh ti qengj, Zoti të mbron. E nëse ti je i fortë, si ujk, Ai nuk të mbron, të lë vetëm, e ujqit të hanë gjallë”.
Aspekti i tretë i këtij identiteti, tha Papa, është stili i të krishterit, gëzimi. Të krishterët, pohoi, janë njerëz plot me gëzim, sepse njohin Zotin e sjellin Zotin. Nuk mund të ecësh si i krishterë, pa gëzim. Nuk mund të ecësh si qengj, pa gëzim. Edhe kur ke probleme, kur të trandin vështirësitë, edhe kur gabon e mëkaton, pohoi Papa, nuk të mungon gëzimi i Jezusit, që fal e ndihmon. Ungjilli, atëherë, duhet të shkojë përpara, përmes këtyre qengjave të dërguar nga Zoti, që u prin plot gëzim:
Nuk i bëjnë ndonjë favor Zotit, as Kishës, ata të krishterë, që zvarriten, duke u ankuar gjithnjë; që jetojnë kështu, të trishtuar, qaramanë… Ky nuk është stili i dishepullit. Shën Agostini u thotë të krishterëve: ‘Shko, ec përpara, këndo e ec!’. Me gëzim: e ky është stili i të krishterit. Ta kumtojë Ungjillin me gëzim! E Zoti bën gjithçka. Ndërsa trishtimi i tepërt e hidhërimi i tepërt na çon në krishterimin pa Krisht; Kryqi i zbraz të krishterët, që janë para varrit duke qarë, si Madalenën, por pa gëzimin, që u zjen në shpirt sepse gjetën Zotin”.
Në festën e dy dishepujve të krishterë, Çirili e Metodi, tha Papa Françesku, Kisha na nxit të mendojmë për identitetin e krishterë. I krishteri, ripohoi, është burrë e grua, që ecën gjithnjë, pa pyetur për vështirësitë e duke i kapërcyer. Ecën si qengj, pa i shkuar as nëpër mend të mbështetet vetëm në forcat e veta: është burrë e grua, që ecën, lëviz, shkon përpara me gëzim. Zoti, përfundoi Papa, me ndërmjetësimin e këtyre Vëllezërve të shenjtë, Pajtorë të Evropës, na dhëntë hirin të jetojmë si të krishterë, si qengja, përplot me gëzim!








All the contents on this site are copyrighted ©.