2014-02-14 14:58:18

Papa, ipeshkvijve çekë: mbështetje për laikët e transparencë në administrimin ekonomik


Papa Françesku priti sot paradite ipeshkvijtë e Republikës Çeke, ardhur në Romë në vizitë “ad Limina”. Dy, impenjimet kryesore, që u besoi atyre: ta projektojnë Kishën e Ungjillin e Krishtit drejt periferive dhe të administrojnë me transparencë e kujdes pasuritë ekonomike. Në festën liturgjike të shën Cirilit e Metodit, ungjillëzuesit e popujve sllavë, Papa i këshilloi ipeshkvijtë t’u japin rëndësi laikëve në jetën krishtare e shoqërore.
Periferi, për Atin e Shenjtë, është çdo vend ku Krishti nuk njihet, ku pengohet, ku shihet me indiferencë. Barinjve, që sot kujdesen për një grigjë, shtypur nga totalitarizmat e jo shumë viteve më parë, Papa Françesku u kërkon impenjim për edukimin fetar të besimtarëve, praninë e kualifikuar në botën e shkollës, duke pasur parasysh se sot, janë shekullarizmi dhe relativizmi ata, që e mbysin shpirtin e njeriut. Kujdes për laikët, vazhdon Ati i Shenjtë, do të thotë baritori familjare me vëmendje të veçantë për të moshuarit e të sëmurët, do të thotë prani e katolikëve në jetën publike, edhe në mjetet e komunikimit. “Varet prej tyre – ngul këmëbë Papa – dëgjimi i së vërtetës mbi problemet e çastit e konceptimi i Kishës si aleate e njeriut, në shërbim të dinjitetit të tij”.
Më pas, vështrimi i Atit të Shenjtë zhvendoset brenda Kishës. Bashkësitë e krishtera të jenë mikpritëse, gati për dialog, veprimtare të pajtimit e të paqes, nxitje që e gjithë shoqëria të punojë për të mirën e përbashkët e të kujdeset për nevojtarët. Në fushën ekonomike, thotë së fundi Papa, duhet zhvilluar një sistem, i cili, duke pasur parasysh se mjetet materiale duhet t’i shërbejnë vetëm misionit shpirtëror të Kishës, të garantojë ç’është e nevojshme për jetën e çdo bashkësie e për punën baritore. Pasuritë kishtare duhen administruar me transparencë, duhen ruajtur e mbrojtur, edhe me ndihmën e laikëve të aftë.







All the contents on this site are copyrighted ©.