2014-02-12 15:51:29

Papa Ratti dhe krijimi i Radio Vatikanit


Po kujtojmë, sot, dy përvjetore vërtet të rëndësishme për ne: 75-vjetorin e vdekjes së themeluesit dhe 81-vjetorin e themelimit të Radio Vatikanit.RealAudioMP3
Themelues i Radio Vatikanit është Papa Piu XI, me dëshirën e të cilit nisi veprimtaria e Emitentes, përuruar më 12 shkurt 1931. Dy ditë më parë, përkujtuam 75-vjetorin e kthimit të Papës Ratti në shtëpinë e Atit qiellor.
Ndërsa sot kremtojmë 81-vjetorin e ditëlindjes sonë. Po kujtojmë, prandaj, sot, në mënyrë të veçantë, themeluesin e Radio Vatikanit, e themeluesit e Programit Shqip, pranë kësaj Radioje.

Piu XI (31. 05. 1857- 10. 02. 1939) lindi në Desio (provinca e Monzës) më 31 maj 1857. Më 1879 u shugurua meshtar e nisi menjëherë punën e mësuesit të teologjisë në seminar. Mori shpejt titullin doktor, për të shërbyer, pastaj, si prefekt i Bibliotekës Ambroziane, institucion për të cilin vijon të krenohet Milano. 26 vjet me libra, mbi libra, duke i studiuar, duke i koleksionuar e duke shkruar, përmes shfletimit të tyre e talentit të tij, vepra me karakter historik, liturgjik e hagjiografik, pa humbur interesimin e thellë për letërsinë e artet. Më 1914 kaloi nga Biblioteka Ambroziane, në atë Vatikane. Në përfundim të Luftës së madhe, kur ipeshkvijtë e Polonisë, më në fund të lirë, kërkuan nga Benedikti XV një përfaqësues të Selisë së Shenjtë, të aftë për t’ua mbrojtur të drejtat, Papa dërgoi pikërisht bibliotekarin, Achille Ratti-n, i cili dha një ndihmesë të çmuar për përforcimin e identitetit katolik në Evropën lindore. U rikthye në Milano, për t’u zgjedhur, më 6 shkurt 1922, Papë, me emrin Piu XI.
Tri, janë aspektet themelore të papnisë së Piut XI: nënshkrimi i Pakteve Lateranense me Shtetin italian, më 1929; dënimi i hapur i totalitarizmave dhe themelimi i Radio Vatikanit.
Pasditën e 12 shkurtit 1931, Gulielmo Markoni hapi personalisht transmetimin e parë radiofonik të Piut XI, duke njoftuar në mikrofon:
“Me ndihmën e Zotit, që vë në dispozicion të njerëzimit shumë forca misterioze të natyrës, munda ta përgatis këtë mjet, që do t’u japë besimtarëve të mbarë botës ngushëllimin ta dëgjojnë zërin e Atit të Shenjtë”.
Pas këtyre fjalëve të shpikësit të radios, Papa Piu XI shqiptonte radiomesazhin e parë në gjuhën latine, në lidhje të drejtpërdrejtë me Nju Jorkun, Melburnin, Kebekun e një mori qytetesh të tjera të planetit.
Për më se njëzet shekuj Papa i Romës i drejtoi fjalën e magjisterit botës, por kjo ishte e para herë që zëri i Tij i gjallë u dëgjua njëkohësisht në mbarë rruzullin tokësor. Fillonte, kështu, veprimtaria e Radio Vatikanit!
Gjatë 17 vjetëve, që zgjati papnia e Tij, e përfunduar më 10 shkurt 1939, në moshën 81 vjeçe, Piu XI mbeti i lidhur ngushtë me Radio Vatikanin, për dy arsye. Së pari, për të vlerësuar atë që shkencat moderne, teknikat moderne, vinin në dispozicion për veprimtarinë ungjillëzuese të Kishës. Së dyti, me dëshirën për të komunikuar me masat. Ai i shfrytëzoi të gjitha kanalet e mundshme për ta realizuar këtë dëshirë. Mjafton të mendojmë vetëm për Vitet e Shenjta: gjatë papnisë së tij u kremtuan tre Vite të Shenjta. Pastaj, për kremtimet e panumërta, gjatë të cilave u shpallën shumë shenjtorë e të lumtur, me qëllim që populli i Hyjit të ftohej për të pranuar mesazhin e shenjtërisë së krishterë. Kështu nisi veprimtaria e Radio Vatikanit, e cila më pas e përligji plotësisht misionin e saj në rrethana më të vështira.
Personaliteti i Papës Piu XI nuk është vlerësuar akoma në masën e duhur, sepse nuk është njohur sa duhet. Mjafton të kujtojmë se gjatë papnisë së tij u vendos regjimi fashist në Itali e ai nazist në Gjermani; Spanja provoi përvojën tepër të hidhur të luftës civile; Meksika, regjimin komunist-socialist-masonik, Bashkimi Sovjetik, komunizmin real. Për t’u folur popujve të këtyre vendeve, që humbën lirinë, duke nisur ‘Udhën e Kryqit’, Papa Piu XI hapi mikrofonin e Radio Vatikanit, radios që u flet popujve të vuajtur të mbarë botës në gjuhët e tyre, u tregon të vërtetën e u transmeton shpresën e Krishtit të ngjallur.
Papa Ratti mbrojti me forcë të drejtat e Kishës, lirinë e pavarësinë e saj, në rrethana historike aspak të lehta. Pushon në paqe në Kriptën e Vatikanit, në sa zëri i tij ruhet, i gjallë në arkivin e Radios, që e themeloi ai vetë.









All the contents on this site are copyrighted ©.