2014-02-12 15:50:01

Papa në audiencën e përgjithshme: kush e jeton Eukaristinë, ndihmon të afërmin e lyp ndjesën e Zotit


I krishteri, i cili e jeton me të vërtetë Meshën, nuk mund të mos shqetësohet për njeriun, që ka nevojë për ndihmë. Është pohim i Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e rreth 30 mijë vetëve. E një kriter tjetër i së vërtetës, shtoi Ati i Shenjtë, është ai, që na shtyn ta ndjejmë nevojën për t’i lypur Zotit falje për fajet tona, e për t’i falur ‘fajtorët tanë’.

Mesha nuk është për të krishterë sallonesh. Rit shoqëror, për t’u kremtuar gjatë javës. Ku shkohet më shumë për t’u takuar me miqtë, sesa me Jezusin. Ku nuk të ndizet në zemër asnjë dëshirë për ta thyer bukën, që more, me atë, që nuk ka ushqim për korpin, as për shpirtin. Katekizmi i së mërkurës i Papës Françesku ishte, siç ndodh shpesh, dritë, për të hyrë deri në skutat e shpirtit njerëzor e për të zbuluar aty, hipokrizitë e mëdha e të vogla, të cilat nuk mungojnë edhe në jetën e krishterë. Argumenti, gjithnjë Sakramenti i Meshës, por parë në këndvështrimin praktik të tre sinjaleve që, theksoi Papa, na tregojnë nëse e jetojmë mirë Eukaristinë, apo s’e jetojmë si duhet.
Prova e parë, shpjegoi, është mënyra si i shikojmë të tjerët, si sillemi me ta. I ngjet apo jo mënyrës si sillej Jezusi, të cilit i pëlqente të rrinte me njerëzit, të hynte në problemet e tyre, në zemrat e tyre:
Unë, që shkoj në Meshë, si e jetoj? Shqetësohem t’i ndihmoj ata, që kanë ndonjë problem, t’u afrohem, të lutem për ta? Apo jam paksa indiferent? E ndoshta shqetësohem më shumë për t’u marrë me thashetheme: ‘A e vure re si ishte stolisur kjo, si ishte veshur ai?... Nganjëherë ndodh edhe kështu, pas Meshe, apo jo? E nuk duhet të ndodhë! Duhet të shqetësohemi për vëllezërit tanë e motrat tona, që kanë nevoja, probleme, që vuajnë nga sëmundjet, nga gjithfarë shqetësimesh”.
E në vijim Papa Françesku foli konkretisht për disa kategori njerëzish, që sigurisht kanë nevojë të ngutshme për ndihmë:
“Të mendojmë - na bën mirë sot – për ata vëllezër e motra, që kanë probleme këtu, në Romë, probleme për shkak të shiut, për këtë tragjedi të shiut, e probleme shoqërore, shqetësime pune, e t’i lutemi Jezusit, këtij Jezusi, që e marrim në Kungimin Shenjt, të na ndihmojë ne e t’i ndihmojë edhe ata”.
Prova e dytë, falja. A shkohet në Meshë, pyeti Papa, për t’i lypur Zoti falje, të gatshëm edhe për të falur? Eukaristia nuk është liturgji për ata, që duan të duken më të mirë se të tjerët, por për kë ka nevojë të pranohet nga Zoti e të rilindë nga mëshira e Tij:
“Nëse secili nga ne nuk e ndjen nevojën për mëshirën e Zotit, nuk ndjehet mëkatar, më mirë të mos shkojë fare në Meshë! Sepse ne shkojmë në Meshë, nga që e ndjejmë veten mëkatarë, duam të fitojmë faljen e Jezusit, të marrin pjesë në shpërblimin e Tij, në ndjesën e Tij! Ajo ‘Po i rrëfehem...’ që themi në krye të Meshës, nuk bëhet për sy e faqe, është akt i vërtetë pendese! Jam mëkatar dhe e rrëfej këtë! Kështu nis Mesha”.
Prova e tretë dhe e fundit, vërejti Papa Françesku, ka të bëjë me lidhjen ndërmjet kremtimit eukaristik dhe jetës së bashkësive tona të krishtera. Eukaristia, përsëriti Ati i Shenjtë, është dhuratë, veprim i Krishtit, nuk është përkujtim njerëzor i asaj, që bëri Zoti. Prej këndej, nga Eukaristia gurron misioni dhe identiteti i vetë Kishës, gjë që kërkon përgjegjësi të lartë:
“Kremtimi mund të jetë i përkryer nga ana a jashtme, mrekullisht i bukur, por nëse nuk çon në takimin me Jezusin, rrezikon të mos i japë kurrfarë ushqimi zemrës sonë, jetës sonë. Nuk duhet harruar se përmes Eukaristisë, Krishti dëshiron të hyjë në jetën tonë e ta rrëmbushë me hirin e tij, në mënyrë që në çdo bashkësi të krishterë të ketë përkim të plotë ndërmjet liturgjisë e jetës”.Në çastin e përshëndetjeve, ndër më të përzemërtat, ajo që Papa ia drejtoi kardinalit Miloslav Vlk, i pranishëm këto ditë në Romë, për vizitën ‘ad Limina’ të episkopatit të vendit të tij. Ati i Shenjtë e quajti kardinalin, që përballoi diktaturën komuniste, “luftëtar i orëve të para e mbrojtës i fesë në Republikën Çeke”. E, duke folur gjithnjë për fenë e popujve sllavë,e përfundoi audiencën e përgjithshme, duke kujtuar festën liturgjike të bashkëpajtorëve të Evropës, Shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzuesit e parë të botës sllave. E nësa i kujtonte, uroi që dëshmia e tyre t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen dishepuj misionarë në çdo mjedis, t’u japë zemër të sëmurëve t’i ofrojnë vuajtjet për kthimin e mëkatarëve e të jetë shembull për të sapomartuarit, që ta kenë Ungjillin rregull themelor në familjet e tyre të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.