2014-02-12 18:31:41

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Gjyqi universal, gjyq mëshire”


Gjyqi universal do të jetë gjyq mëshire. Këtë nënvizon Katekizmi i Kishës katolike, që i kushton faqe të rëndësishme Gjyqit të Mbramë. Jezuiti, atë Dariush Kovalçik, kujton pikërisht këtë çast vendimtar për mbarë historinë e njerëzimit, në reflektimin e 31-të të ciklit kushtuar Katekizimit, 20 vjet pas botimit.

Të krishterët dëshmojnë se Jezu Krishti “do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”. Kjo do të thotë se historia e botës dhe e secilit, do të numërojë orën e fundit. Në Katekizëm lexojmë: “Ditën e Gjyqit, në fundin e botës, Krishti do të vijë në lumni për përmbushjen e ngadhënjimit përfundimtar të së mirës mbi të keqen që, si gruri e egjra, u rritën gjatë historisë (n. 681).
Krishti është Zoti i të vdekurve e i të gjallëve e, si i tillë, na thotë: “Kini besim; unë e munda botën”(Gjn 16,33). Por sovraniteti i Tij nuk është vendosur ende plotësisht. Prej këndej, egjra vijon të rritet pranë e pranë grurit.
Gjithsesi, duhet ta dallojmë Gjyqin universal, që do të vijë në fund të kohëve, nga gjykimi i veçantë, që vjen menjëherë pas vdekjes së njeriut. U vendos, lexojmë në Letrën drejtuar Hebrenjve – që njerëzit të vdesin një herë të vetme, pas së cilës vjen menjëherë gjykimi (9,27). Nuk ka kurrfarë rimishërimi. Historia njerëzore zhvillohet në vijë të drejtë, ka fillim e fund. Kemi vetëm një jetë, e vetëm një vdekje. Gjykimi i posaçëm lidhet me historinë e njeriut. Ndërsa Gjyqi universal, me historinë e të gjitha breznive.

Të gjithë kemi parë paraqitje të gjyqit e, nganjëherë, edhe tmerruese. Por, nësa i shikojmë, nuk duhet harruar se do të na gjykojë Ai, që vdiq për ne mbi kryq. Prej këndej, do të jetë gjyq i mëshirës. Po! “Do të dalin në dritë sjelljet e secilit; të fshehtat e zemrave” (KKK 678), veç jo për t’i dënuar mëkatarët. Por për t’i pastruar e për t’i shëlbuar. E kriteri kryesor i gjykimit do të jenë fjalët e Jezusit: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt.25,40). E keqja do të zbulohet por, para së gjithash, do të kujtohet çdo e mirë, edhe më e vogla, që i kemi bërë të afërmit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.