2014-02-11 15:48:13

Mesazhi i Papës Françesku për DBR ndër-territoriale në Senegal


“Të dashur të rinj, ju kërkoj të luteni gjithmonë për paqen në botë e, në veçanti, në rajonin e Casamancës”: me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku të rinjve, në një mesazh, që u lexua të dielën, gjatë meshës me të cilën ata mbyllën kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë, në Stadiumin e Kaolakut, në Senegal. Bëhet fjalë për kremtimin ndër-territorial të Ditës Botërore të Rinisë 2014, ku morën pjesë 25 mijë të rinj, nga shtatë dioqezat e Senegalit, por edhe nga Gambia, Mauritania, Guinea Bissau, Kepi i Gjelbër, Guinea Konakri, Mali, Togo, Burkina Faso, Bregu i Fildishtë, Benini e Gana. Mesazhin e lexoi nunci apostolik, Imzot Loius Mariano Montemayor, i cili u kërkoi të rinjve të angazhohen për vendosjen e paqes në Senegal e të luten për pajtimin e zemrave.
Takimi kishte për qëllim t’u krijonte të rinjve mundësinë për të ndenjur së bashku, me qëllimin për të zhvilluar paqen, drejtësinë, pajtimin dhe zhvillimin. Lutja, dëshmitë dhe shkëmbimi i mendimeve janë format me të cilat, gjatë takimeve të tilla, përjetohet dhe përforcohet feja. Kjo është dita e pestë e rinisë në Senegal, pas atyre në Dakar (1996 e 2000), Ziguinkor (2005) e Thies (2009), në vazhdën e Ditëve Botërore të Rinisë, të nisura nga Gjon Pali II. Dita Botërore e Rinisë e ardhshme do të zhvillohet në vitin 2019 në Dakar, prandaj Kryqi, që rri në sfondin e këtyre ditëve, iu dorëzua kryeipeshkvit të kryeqytetit senegalez, Kardinalit Theodore Adrien Sarr. Kardinali Sarr u tha të rinjve se Konferenca e ipeshkvijve të Afrikës Perëndimore do të projektojë ditët botërore të rinisë rajonale dhe i nxiti pjesëmarrësit në takimin e Kaolakut të jenë mirsionarë, të shpallin të vërtetën, të kumtojnë shpëtimin, të jenë flamurtarë të gëzimit, të dëgjimit të ndërsjellë..., dëshmitarë besnikë të pranimit dhe përjetimit të Fjalës së Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.