2014-02-11 12:49:35

Ju kumtojmë lajmin e mirë


Jemi gjithnjë në fillimin e leximit të Lajmit të Mirë sipas Markut, prej të cilit kemi parë dhe shpjeguar vetëm fjalinë e parë: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1).RealAudioMP3
Njeriu Jezus, të cilin, nëpër faqet e Ungjillit, e gjejmë mes njerëzve të tjerë, duke u falur mëkatet dhe duke i çliruar nga hipokrizia për shkak të fesë, duke predikuar e duke shëruar, duke vuajtur nën gjykimin e rëndë të pushtetit fetar e politik dhe duke vdekur, është Biri i Hyjit, sepse Hyji e ringjalli nga të vdekurit. Lajmi i mirë është Jezusi vetë, Biri i Hyjit mes njerëzve. Nëse e njohim atë si birin e Hyjit, jeta jonë merr dritë dhe vdekja jonë nuk është fund pa shpresë, por kalim, pashkë, me Krishtin, në jetën e plotë.
Pra, Marku dëshiron të na tregojë se Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit, jo duke e vënë theksin tek gjërat e jashtëzakonshme, që bën Jezusi, siç mund të jenë mrekullitë, por duke na kujtuar se ai është me ne, në gjërat e zakonshme të jetës, dhe kjo lidhje e tij me ne, në gjërat e zakonshme të jetës, na hap rrugën drejt realiteteve të jashtëzakonshme të Hyjit. Për këtë arsye, në këtë Ungjill, shpesh herë Jezusi, pasi kryen vepra të jashtëzakonshme, siç është për shembull shndërrimi mbi mal, i urdhëron nxënësit të mos i tregojnë askujt çfarë kishin parë, përveçse pasi ai të ringjallej prej të vdekurve (khs. Mk 9,9). Studiuesit e kanë quajtur këtë dëshirë të Jezusit në Ungjillin sipas Markut “e fshehta mesianike”.
Ungjilli, lajmi i mirë, është ringjallja e Krishtit, prandaj gjithçka që i paraprin ringjalljes, në tregimin ungjillor, nuk mund të kuptohet, përveçse në dritën e saj. Themeli i lajmit të mirë, pra, është ringjallja e Krishtit, sepse atëherë ai është zbuluar vërtet si Biri i Hyjit. Forca e kësaj ringjalljeje është e pranishme në çdo moment të jetës së tij, qoftë kur ai vepron me pushtet, qoftë kur ai vuan dhe vdes. Sidomos kur vdes. Marku dëshiron të na bëjë ta njohim Krishtin, si Birin e Hyjit, në çastin kur ai vdes në kryq, prandaj na tregon se dikush, që ishte aty, tek këmbët e kryqit, një pagan, i cili as që e njihte Hyjin e Izraelit, tha për Jezusin se ishte Biri i Hyjit: “Jezusi, pasi dha një britmë të madhe, dha shpirt.... Atëherë centurioni, që e kishte përballë, pasi e pa duke vdekur ashtu, tha: ‘Ky njeri ishte me të vërtetë Biri i Hjit’” (Mk 15,37.39). Tregimi i Markut për jetën e Jezusit mbi tokë fillon duke thënë se Jezu Krishti është Biri i Hyjit dhe përfundon duke dëshmuar se një pagan, kur e pa Krishtin duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: “Ky njeri ishte me të vërtetë Biri i Hyjit”. Feja na thotë se Biri i Hyjit është gjithmonë me njerëzit, jo vetëm kur e tregon pushtetin e tij, me anë të mrekullive, por edhe kur vuan me ne dhe vdes me ne. Ky është lajmi i mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.