Benedikti XVI dhe tërheqja nga papnia, muaji më i gjatë i një shpirti të madh
Më 11 shkurtin e një viti më parë, Kisha dhe bota u tronditën pas tërheqjes së Benediktit
XVI nga shërbimi pjetrin. Ai, që fillimish u prit me habi e trubullim të madh, në
ditët e mëpasme, u kuptua se ishte një akt largpamës urtie, i mundur vetëm për një
njeri e një Papë me mprehtësi të jashtëzakonshme shpirtërore. Ja etapat, që karakterizuan
atë muaj, tashmë historik: “Fratres carissimi,
non solum propter tres canonizationes ad hoc Consistorium vos convocavi…”(Vëllezër
të dashur, ju kam thirrur në këtë Koncistor, jo vetëm për tri shenjtërimet…). Latinishtja
është gjuhë e vdekur për botën prej qindra vjetësh e pak e përdorur edhe në jetën
e përditshme të besimtarëve katolikë. Për këtë arsye, një nga njoftimet më kumbues
të historisë universale luhatet për disa minuta në një flluskë heshtjeje të padeshifrueshme.
Ato fjalë të përvuajtura, shqiptuar me qetësi, përvijuar nga një lloj tensioni, që
flet për “decisionem magni momenti pro Ecllesiae vitae communicem” (ju komunikoj një
vendim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës), mbeten pezull në tokën e askujt për
disa sekonda të stërzgjatura, në pritje që ndokush t’i bëjë të vetat. Sapo kishte
kaluar ora 11.30 e kush pati fatin t’i dëgjonte, në atë 11 shkurt të vitit 2013 –
kardinajtë rreth Benediktit XVI në Sallën e Koncistorit dhe gazetarët, që ndiqnin
imazhet e audion - jetoi për pak çaste enigmën e atyre, që në breg të oqeanit, shohin
të pafuqishëm tërheqjen e ujit për shumë e shumë kilometra. Pastaj, tsunamin: “Conscientia
mea iterum atque iterum coram Deo explorata ad cognitionem certam perveni vires meas
ingravescente aetate non iam aptas esse ad munus Petrinum aeque administrandum…”. (Pasi
shqyrtova shumë herë ndërgjegjen time para Zotit, jam tashmë i sigurtë se forcat e
mia, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të mjaftueshme për të ushtruar si
duhet shërbimin tim petrin… mëse i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij akti, në liri
të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën
Pjetrit, që më është besuar nga kardinajtë…) Oqeani, që vërsulet sërish për
të kapur jo vetëm bregun, por edhe ç’të gjejë përpara në tokën e thatë, e lë botën
të mrekulluar. Mediat, sidomos interneti, përflaken. “Papa dha dorëheqjen”, interpretimi
i parë, që përpiqet të shpjegojë të pashpjegueshmen me një gjuhë marrë nga botë të
tjera, sepse askush në tokë nuk i ka mjetet për të njoftuar arsyeshëm ç’po ndodhte.
Informacioni i parë është emotiv, po ashtu edhe reagimi i njerëzve. Askujt nuk i besohet
e ndokush fillon të vërë në diskutim siguri të patundshme. Derisa, e ngjeshur, e shtypur
për 48 orë rresht, llava e zjarrtë shpërthen të mërkurën, më 13 shkurt, në audiencën
e përgjithshme në Sallën Pali VI: “Të dashur vëllezër e motra, siç e dini,
vendosa …(duartrokitje)… Ju falënderoj për simpatinë tuaj...(duartrokitje)… Vendosa
të heq dorë nga ministeri, që Zoti ma besoi më 19 prill 2005. E bëra këtë me liri
të plotë, për të mirën e Kishës, pasi u luta gjatë dhe rrëmova, para syve të Zotit,
ndërgjegjen time, thellësisht i vetëdijshëm për seriozitetin e këtij akti, por po
aq i vetëdijshëm edhe se nuk jam më në gjendje ta kryej misionin tim papnor me atë
energji, që kërkon”. Ajo e mërkurë përkonte me fillimin e Krezhmëve e njerëzit
mbushin pasdite Bazilikën e Vatikanit për ritin e Përhimjes. Kështu, në magmën e ndjenjave
konfuze, pak pluhur i zi që për një çast i nxin paksa flokët e bardhë si bora të Papës
kthehet, për atë që e sheh këtë skenë, në një simbol me domethënie më të mëdha nga
sa mund t’i jepen në të vërtëtë: shpreh me anë të imazhit, sigurinë që po afirmohej
se pavarësisht nga çdo interpretim, tërheqja e Benediktit XVI ishte gjest përvuajtërie
të madhe. E pohoi këtë, krejtësisht i mallëngjyer, edhe Sekretari i atëhershëm i Shtetit,
kardinali Tarçizio Bertone, në fund të kremtimit, i shoqëruar nga duartrokitjet pa
fund, emocionuese të njerëzve, që u ngritën në këmbë, për të nderuar Bariun e tyre: “Faleminderit,
që na dhatë shembullin e ndritur të punëtorit të thjeshtë e të përvuajur në vreshtin
e Zotit, por të një punëtori, që diti, në çdo çast, të realizojë ç’është më e rëndësishmja:
t’u çojë Zotin njerëzve e t’i çojë njerëzit tek Zoti”. E drejtë, gabim. Ndërsa
dueli i opinioneve vazhdonte të ndizte sallonet televizive dhe debatet e njerëzve
nëpër rrugë, në përpjekjen e vështirë për “të lexuar” zemrën e Papës, vetë Benedikti
XVI e shpjegon vendimin e tij, gjatë ditëve që pasuan. T’i dëgjosh fjalët e tij në
takimet publike të asaj kohe, do të thotë të hedhësh sytë vetëm mbi disa shtigje,
tepër të shkurtra, të udhës së gjatë e vetmitare, që pati bërë shpirti i tij përballë
e përkrah Zotit. Busulla që e udhëheq në atë rrugë shihet nga fjalët që thotë, si
ato në takimin me famullitarët e Romës, më 14 shkurt, ditën e enjte: “Megjithëse
po tërhiqem tani, në lutje, jam gjithnjë pranë jush e jam i sigurtë se edhe ju do
të jeni pranë meje, pavarësisht se për botën do të rri fshehur”. “Tërheqje,
lutje, fshehur”. Nga përmbytja e tsunamit, që dukej sikur po e shkatërronte edhe shtëpinë
e ndërtuar mbi shkëmb e të vërtetën për banorin e parë të saj, pejsazhi shndërrohet
e gjen një ekuilibër të ri. Vërtet, një pjesë e mediave vazhdon të ngulë këmbë në
komplote e ikje, sepse fatkeqësisht shumë gazetarë dinë si ta gudulisin publikun me
skandale, në vend që t’i stimulojnë inteligjencën. E megjithatë, gjesti i Benediktit
XVI kuptohet gjithnjë e më tepër nga Kisha si fryt i një feje të patundur, e cila
ka karakterizuar gjithnjë hapat e punëtorit të Vreshtit të Zotit. Papa e përforcon
këtë siguri me daljen e tij të fundit në dritaren e studios së Pallatit Apostolik:
Është lutja e Engjëllit të Tënzot, e dielë, 24 shkurt: “Zoti më thërret të
‘ngjitem në mal’, t’i kushtohem më shumë lutjes dhe meditimit. Por kjo nuk do të thotë
se po e braktis Kishën, përkundrazi, nëse Hyji më kërkon këtë, e bën pikërisht që
unë të mund të vazhdoj t’i shërbej asaj me të njëjtin përkushtim e me po atë dashuri,
me të cilën i kam shërbyer deri tani, por në një mënyrë më të përshtatshme për moshën
dhe forcat e mia”. Punëtori i përvuajtur i Vreshtit largohet nga kreu e shkon
në fund të rreshtit. E pati kuptuar se edhe Vikari i Krishtit ka mëse një mënyrë për
t’u kujdesur për vreshtin e Ungjillit: “Nuk po e braktis Kryqin, por do të
qëndroj në mënyrë të re pranë Zotit të Kryqëzuar. Nuk mbart më përgjegjësinë e detyrës
për qeverisjen e Kishës, por në lutje mbetem, si të thuash, në vathën e Shën Pjetrit”. Këto
fjalë mbushin sheshin e Shën Pjetrit në audiencën e fundit të përgjithshme të Papës
Racinger, para syve të të cilit, një mori prej 150 mijë vetësh. Një mur njerëzish,
amplifikuar nga televizionet e gjithë botës, të cilët Benedikti XVI i siguron edhe
një herë për praninë e Hyjit në Kishë: “E kam ditur gjithnjë se në atë barkë
është Zoti dhe e kam ditur gjithnjë se barka e Kishës nuk është imja, nuk është jona,
por është e Tij, e Zoti nuk e lë të mbytet; është Ai që e udhëheq, sigurisht edhe
përmes njerëzve që zgjedh, sepse kështu ka dashur. Kjo ka qenë dhe është një siguri,
që asgjë s’mund ta cënojë”. E kush nuk e kujton atë muaj shqetësimesh, ndërsa
përgatitej ethshëm Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri, ndërsa i vjetri bëhej gati
të largohej me helikopter nga Shën Pjetri për në Kastelgandolfo, rezidenca verore
e papëve. Muaji më i shkurtër i kalendarit u jetua sikur të ishte pambarimisht i gjatë,
në mos tjetër, për orët e stërngarkuara të gazetarëve, që ndiqnin ngjarjet. Atë 28
shkurt, ditën e largimit të Benediktit XVI nga Vatikani, në Romë ishin të pranishëm
3.650 gazetarë nga 61 vende, përfaqësues të 968 mediave, në 24 gjuhë të ndryshme.
Televizionet transmetuan nga mëngjesi në darkë, duke filluar me Sallën Klementina,
gjatë përshëndetjes me kardinajtë, 144 vetë: “Dëshiroj t’ju them se
do të vazhdoj të jem pranë jush me lutje, sidomos gjatë ditëve të ardhshme, që të
jeni plotësisht gati për dikimin e Shpirtit Shenjt në zgjedhjen e Papës së ri. Zoti
ju tregoftë atë, që do Ai i lumi. Ndërmjet jush, në Kolegjin e kardinajve, është edhe
Papa i ardhshëm, të cilin, që sot, premtoj ta nderoj dhe t’i bindem pa kushte”. Rreth
orës 17.00, bota ndjek metër pas metri, udhëtimin e Papës me helikopter për në Kastelgandolfo.
Ndonjë komentator e krahason me impaktin e sbarkimit në Hënë. Benedikti XVI përshëndetet
nga kardinali Komastri e nga mons. Genshvejn, pastaj fytyra në oblonë e helikopterit
të bardhë e fluturimi në qiellin e Romës, që i dhuron shikuesit diçka engjëllore.
Në ballkonin e Kastelgandolfos, para mijëra vetëve, Benedikti XVI del nga skena: “Jam
thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fund të shtegtimit të tij mbi këtë tokë.
Por do të doja, me gjithë zemër, me plot dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha
forcat e mia të brendshme, të punoj për të mirën e përbashkët e për të mirën e Kishës
e të njerëzimit. E ndjej se më mbështet simpatia juaj. Faleminderit, natën e mirë!” “Natën
e mirë!”, tha Papa Racinger, duke u tërhequr pas kanatave të dritares. Kur akrepat
e orës ranë 8 e mbrëmjes, porta e rezidencës papnore u mbyll ngadalë. Rojet zvicerane
u larguan. Nuk kishin më papë për të ruajtur. Por Benedikti XVI mbeti. Mbeti edhe
jehona e përshëndetjes “Natën e mirë!”. E një regjizor i padukshëm, vetëm 13 ditë
më vonë, thirri në Vatikan, një papë “nga fundi i botës”, që e filloi papninë me të
njëjtin stil, atë të familjaritetit më absolut e më çarmatosës: (Zëri i Papës
Françesku) “Vëllezër e motra, mirëmbrëma!”