Papa: ta jetojmë misterin e pranisë së Zotit në Meshë; ardhja në Shën Martë nuk është
etapë turistike
Të rizbulohet ndija e misterit të pranisë reale të Zotit në Meshë: është ftesa e Papës
Françesku gjatë kremtimit eukaristik, kryesuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Leximi
i parë i ditës flet për teofani, domethënë, për dukje të Hyjit në mënyrë të ndjeshme,
në kohët e mbretit Salomon. Zoti zbret si re mbi Tempullin, që mbushet me lumninë
e Hyjit. Zoti, komentoi Papa, i flet popullit të vet në një mori mënyrash: përmes
profetëve, meshtarëve, Shkrimit Shenjt. Po me teofaninë, flet në një mënyrë tjetër,
të ndryshme nga Fjala: është prani tjetër, më e afërt, pa ndërmjetës, fare pranë.
Është prania e Tij. Kjo, vijoi të shpjegojë Ati i Shenjtë, ndodh në kremtimet liturgjike.
Kremtimi liturgjik nuk është ndonjë veprimtari shoqërore, veprimtari e mirë shoqërore;
nuk është tubim i besimtarëve për t’u lutur së bashku. Është tjetër gjë. Në liturgji,
Hyji është i pranishëm, por është një prani edhe më e afërt. Në meshë, prania e Zoti
është reale, pikërisht reale: “Kur ne kremtojmë Meshën, nuk paraqesim
Darkën e Mbrame: jo, nuk është paraqitje, nuk është shfaqje. Është tjetër gjë: është
pikërisht Darka e Mbrame. Jetohen edhe një herë Mundimet dhe Vdekja shpërblyese e
Zotit. Është teofani, dukje e Zotit: Zoti është i pranishëm mbi elter, që t’i dhurohet
Atit për shëlbimin e botës. E ndjejmë këtë, apo themi: ‘Po unë nuk mundem tani, duhet
të shkoj në Meshë, duhet të shkoj për të dëgjuar Meshën’. Mesha nuk ‘dëgjohet’, në
Meshë merret pjesë në këtë teofani, në këtë mister të pranisë së Zotit ndërmjet nesh”. Shpella
e Betlehemit, Udha e Kryqit janë paraqitje të lindjes e të mundimeve të Zotit, shpjegoi
përsëri Papa, ndërsa Mesha është përkujtim real, teofani: Zoti na afrohet, është me
ne, e ne marrim pjesë në misterin e shpërblimit. Për fat të keq, nënvizoi Ati i Shenjtë,
shpesh herë shikojmë orën në Meshë, numërojmë minutat: po kjo nuk është sjellja, që
kërkon liturgjia; liturgjia është kohë e Zotit e hapësirë e Zotit, e ne duhet të
jemi aty, në kohën e Zotit, në hapësirën e Zotit e jo duke shikuar orën: “Liturgji
do të thotë pikërisht të hysh në misterin e Zotit, ta lësh të të prijë në mister e
të jesh në mister. Për shembull, unë jam i sigurt se ju të gjithë vini këtu për të
hyrë në mister; por, mbase, ndonjëri thotë: ‘Ah, duhet të shkoj në Meshë, në Shën
Martë, ta ndjek Papën, sepse në vizitën turistike të Romës përfshihet edhe vizita
tek Papa në Shën Martë, çdo mëngjes: vend turistik, apo jo?’. Të gjithë ju, ejani
këtu; ne mblidhemi këtu për të hyrë në mister: e kjo është liturgjia. Është koha e
Zotit, hapësira e Zotit, reja e Zotit, që na mbështjell të gjithëve”. Papa
kujtoi se kur ishte fëmijë, gjatë përgatitjes për Kungimin e parë, dëgjonte një këngë,
e cila përshkruante sesi elteri ruhej nga Engjëjt, për të dhënë kuptimin e lumnisë
së Zotit, të hapësirës së Zotit, të pranisë së Zotit, të kohës së Zotit. E kur, gjatë
provave, silleshin hostet, u thoshin fëmijëve: “Shikoni, këto nuk janë hostet, që
do të merrni; këto nuk vlejnë, sepse nuk janë të shuguruara!”. Kështu, përfundoi Papa,
të kremtosh liturgjinë, do të thotë të jesh i gatshëm të hysh në misterin e Zotit,
në hapësirën e Tij, në kohën e Tij e t’i besosh me gjithë zemër këtij misteri: “Na
bën mirë sot t’i lypim Zotit të na japë të gjithëve ‘ndijën e shenjtërisë’, këtë ndjesi,
që na bën të kuptojmë se një gjë është të lutesh në shtëpi, të lutesh në kishë, të
thuash Rruzaren, të thuash lutje të tjera të bukura, të bësh Udhën e Kryqit e gjëra
të tjera të bukura, të lexosh Biblën ... e gjë tjetër, kremtimi Eukaristik. Gjatë
kremtimit hyjmë në misterin e Zotit, në atë udhë, që ne nuk mund ta kontrollojmë;
vetëm Ai është i vetmi; Ai, lumnia; ai, pushteti; Ai, gjithçka! Ta kërkojmë këtë hir:
që Zoti të na mësojë të hyjmë në misterin e Hyjit”.