Papa: e pranoj ftesën për të vizituar Sri Lankën, duke i uruar vendit paqe e pajtim
“E pranoj ftesën për të vizituar Sri Lankën” pohoi Papa Françesku dje, në Bazilikën
e Vatikanit, gjatë takimit me bashkësinë srilankeze në Itali. Një delegacion i madh
ishte për vizitë në Shën Pjetër, për të nderuar Zojën e Bekuar, 75 vjet pasi vendi
aziatik iu kushtua Marisë: “Falënderoj kardinalin Ranjith për ftesën që të
vizitoj Sri Lankën. E pranoj ftesën e besoj se Zoti do të na e japë këtë hir”. Takimi
me bashkësinë srilankeze në Itali nisi me këtë kumt të gëzuar, pasuar nga duartrokitjet
e pareshtura të bashkësisë. Pak përpara, ishte kardinali Ranjith, kryeipeshkëv i Kolombos
ai, që i drejtoi Papës ftesën për të vizituar vendin aziatik, në përfundim të një
kremtimi në Bazilikën e Shën Pjetrit. Duke iu drejtuar besimtarëve, Papa foli
edhe për arsyen e kësaj vizite të srilankezëve në Vatikan. Kujtoi se 75 vjet më parë
ata kërkuan ndihmën e Marisë që, shtoi Papa, i shpëton gjithnjë bijtë e vet nga rreziqet.
Kur në qiellin e Sri Lankës u dynden retë e zeza të Luftës II Botërore, besimtarët
kërkuan ndihmën e Zojës së Bekuar. Atëherë kryeipeshkvi i Kolombos, imzot Zhan-Mari
Mason, rregulltar i Zojës së Papërlyer, bëri kushtin të ndërtojë një shenjtërore në
nder të Zojës, në se ishulli do të shpëtonte nga pushtimi i huaj. E kështu edhe ndodhi.
Atëherë u ngrit Shenjtërorja e Zojës së Lankës, në Tewate, kushtuar 40 vjet më parë.