2014-02-09 17:44:15

Imzot Parolin në Avvenire: Sekretaria e Shtetit të bëhet model për mbarë Kishën


Kuria Romake të jetë mjet “i shkathët e i zhdërvjellët” në shërbim të misionit të Kishës në botën e sotme. Është një nga fragmentet kyçe të intervistës, dhënë nga imzot Pietro Parolin, Stefania Falaskës, botuar sot në gazetën Avvenire. Sekretari i Shtetit të Vatikanit ndalet në shumë tema, nga bashkëpunimi me Papën Françesku, tek roli i diplomacisë vatikanase, nga konflikti në Siri, tek stina tejet e dhimbshme e Vatileaks.

Stili im nuk mund të jetë tjetër, veçse ai i Papës Françesku, stil me të cilin ndjehem plotësisht i njëjtësuar. Këtë thekson imzot Parolin në intervistën e gjatë, në Avvenire. Kardinali i ardhshëm flet për “përtëritjen e Kishës”, për të cilën Papa po u bën thirrje të gjithëve, me ngulm, e vëren se Sekretaria e Shtetit duhet ta pranojë me gatishmëri të plotë kthesën baritore, propozuar nga Papa Françesku. Madje, shton, në një farë kuptimi, duhet të bëhet model për mbarë Kishën. Imzot Parolin nënvizon se diplomacia e Vatikanit impenjohet për t’i ndihmuar popujt në ndërtimin e një bote më njerëzore e më vëllazërore, në të cilën duhet të mbrohen njerëzit më të ligshtë. Prandaj, thekson, Kuria Romake duhet të bëhet mjet i shkathët e i zhdërvjellët, më pak burokratik e më efikas, në shërbim të bashkimit e të misionit të Kishës në botën e sotme. Mjet, pohon, në shërbim të Papës e të Ipeshkvijve, të Kishës universale e të Kishave të veçanta. Natyrisht, pranon, rreziku i shpërdorimit të pushtetit nuk mungon kurrë, e nga ky rrezik nuk mund të shpëtojë as Kuria. Më pas shton: “Nuk mjafton reformimi i strukturave, që duhet bërë, nëse nuk shoqërohet me kthesë të përhershme personale. Gjithsesi, sekretari i Shtetit mendon se në Kurien Romake ka pasur e ka shenjtorë, e atëhere nuk mund të mos shprehet edhe keqardhja, kur pikturohet me penelata tepër të ngutura e të dhunshme, që krijojnë një figurë negative të Kuries. Në fund të fundit, komenton, duhet punuar rëndë, që secili nga ne të bëhet më njerëzor, më mikpritës, më ungjillor, ashtu siç dëshiron Papa Françesku.
Prelati i përgjigjet kështu pyetjes së Stefania Falaskës lidhur me Vatileaks. Kjo, pohon me keqardhje, ishte një stinë tejet e dhimbshme, që uroj të ketë perënduar përgjithmonë. Një ngjarje, që e bëri të vuante padrejtësisht Benediktin XVI e që shkandulloi shumë njerëz, duke e dëmtuar jo pak Kishën e Krishtit. Këto ngjarje, reflektoi, duhet të na nxisin të mendojmë thellë mbi besnikërinë tonë ndaj Ungjillit.
Lidhur me IOR-in, imzot Parolin nuk flet për rrugëzgjidhje teknike, por vë në dukje se, sipas porosive të Papës, përdorimi i parasë, që shërben për nevojat e jetës e të misionit të Kishës, duhet të drejtohet nga parimet e Ungjillit.
Një pjesë e intervistës i kushtohet impenjimit të Selisë së Shenjtë për paqen. Imzot Parolin e quan Papën Françesku “përfaqësues i parë diplomatik i Selisë së Shenjtë” duke kujtuar rolin e tij për rrugëzgjidhjen e konfliktit në Siri. Për “Gjenevën 2”, prelati pohon nevojën e hartimit të një road map realiste, për t’i dhënë fund konfliktit e për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Sekretari i Shtetit papnor ndalet edhe tek gjendja e vështirë e të krishterëve në Lindjen e Mesme, që e shqetëson shumë Selinë e Shenjtë. E përsa u përket marrëdhënieve me Kinën, uron të thellohet besimi e mirëkuptimi ndërmjet palëve e kjo të konkretizohet me rifillimin e dialogut konstruktiv me autoritetet politike. Imzot Parolin u përgjigjet, më tej, kritikave në drejtim të Papës nga disa mjedise konservatore, që e quajtën “marksist” në ekonomi. “A nuk është marksizmi, pyet, ai që nxit solidaritetin pa asnjë interes dhe kthimin e ekonomisë e të financës në etikë në mbrojtje të njeriut?”. E më pas vëren se ndërhyrja e fuqishme e Françeskut, për shembull në disa pjesë të Evangelii Gaudium, motivohet nga situata pabarazie e përjashtimi, të pranishme në Amerikën Latine, ashtu si dhe në pjesë të tjera të botës. Intervista përfundon me një reflektim mbi marrëdhëniet ndërmjet Konferencës ipeshkvnore italiane, Sekretarisë së Shtetit dhe drejtimit të marrëdhënieve me politikën italiane. Për imzotin Parolin, askush nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme me këto marrëdhënie. Formula fituese, nënvizon, është bashkëpunimi, përmes të cilit do të mund të kontribuohet me fryt për të mirën e përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.