2014-02-09 13:07:32

Bashkësia e Tezésë lutet për paqen në Siri


Sot, Papa Françesku tha si zakonisht Engjëllin e Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërkaq, në famullinë e Shën Marisë në Portiko në Kampiteli, Bashkësia e Tezé-së organizon lutjen për paqen në Siri, udhëhequr nga ipeshkvi ndihmës i Romës, imzot Matteo Zuppi. Të pranishëm, jo vetëm romakë e ndjekës të bashkësisë së Tezé-së, por edhe besimtarë të shumtë nga bashkësitë e Lindjes së Mesme, që jetojnë në Romë.
Katolikët luten për lirimin e të rrëmbyerve, meshtarë e ipeshkvij ortodoksë e katolikë. Ndërkaq, nga Siria mbërrijnë në të gjithë botën, fjalët e atë Jaques Mourad, murg katolik sirian, epror i kuvendit të Mar Eliam, 60 km larg Homsit. Është kuvendi i dytë i bashkësisë së themeluar nga jezuiti romak, atë Paolo dall’Oglio, rrëmbyer në korrik 2013. “Nuk e di nëse nesër do të jemi akoma gjallë – deklaron. Nuk ka ujë në manastir, ka pak ushqim, pak ilaçe e qumësht për fëmijët e vegjël. Kemi nevojë për gjithçka, por para së gjithash, kemi nevojë që kjo luftë të mbarojë e që diplomacia të gjejë, më në fund, një zgjidhje”. Në kuvend jetojnë 52 familje, shumica myslimane.








All the contents on this site are copyrighted ©.