Ta përqendrojmë vëmendjen në familjen, qelizë themelore e shoqërisë: kështu Papa,
ipeshkvijve polakë
Takim, në prag të shenjtërimit të Papës Gjon Pali II, për t’i përsëritur Kishës në
Poloni ftesën që të ndërtojë udhën e paqes e të bashkimit, pa ndarje, duke i kushtuar
rëndësi të veçantë familjes së themeluar mbi martesën, të rinjve dhe thirrjeve të
reja. Në audiencë me Papën Françesku, ipeshkvijtë polakë në vizitë “ad Limina”, të
cilëve Ati i Shenjtë u dorëzoi “me përvuajtëri” fjalën e përgatitur, në vend që ta
lexonte “me madhështi”, siç tha vetë. Figura e Karol Vojtilës qe në qendër të bisedës
së përzemërt. Ka qenë bari i madh, u tha Papa ipeshkvijve, “shembull i ndritshëm i
lëshimit të plotë në dorën e Zotit e të Nënës së tij, model i përkushtimit të jashtëzakonshëm
ndaj Kishës e njeriut”. I Lumi Vojtila do të shpallet shenjt më 27 prill e Papa Françesku
u ndal në tre aspekte të shoqërisë e të Kishës në Poloni, veçanërisht të dashura edhe
për Gjon Palin II: familja, të rinjtë e thirrjet për meshtar. Familja, tha Ati i Shenjtë,
është vendi ku mësojmë të jetojmë bashkë, pavarësisht se të ndryshëm; vatra, ku prindërit
u mësojnë fëmijëve respektin për të tjerët dhe u transmetojnë fenë e të parëve: “Ndërsa
sot, martesa konsiderohet shpesh si plotësim i nevojës për dashuri, që mund të organizohet
në çdo lloj mënyre e të ndryshojë sipas ndjeshmërisë së secilit. Fatkeqësisht, ky
këndvështrim ndikon edhe në mendësinë e të krishterëve, duke sjellë divorce e ndarje
faktike, pa u menduar shumë”. Është detyrë e barinjve të Kishës, vazhdoi Papa
Françesku, t’i formojnë njerëzit e të mos i përjashtojnë nga bashkësia e krishterë
ata që gjenden në vështirësi: “Duhet të pyesim si ta përmirësojmë përgatitjen
e të rinjve për martesë, që të zbulojnë gjithnjë e më shumë bukurinë e këtij bashkimi,
i cili, nëse ka baza të shëndosha në dashurinë e përgjegjësinë, është në gjendje të
kapërcejë sprova, vështirësi, egoizma me anë të faljes, duke ndrequr ç’rrezikon të
prishet… Duhet të pyesim si t’i ndihmojmë familjet të jetojnë e t’i vlerësojnë si
çastet e gëzimit, ashtu edhe ato të dhimbjes e të dobësisë”. Në këtë kuadër,
e duke pasur parasysh edhe Ditën Botërore të Rinisë 2016, që do të mbahet në Krakovë
të Polonisë, Papa Françesku vuri theksin në punën me të rinjtë: “Sot, bota e
pasur me mjete informatike u ofron atyre mundësi të reja komunikimi, por njëkohësisht,
zvogëlon mundësitë për marrëdhënie personale e për kontakte të drejtpërdrejta, për
shkëmbimin e vlerave e të përvojave. Megjithatë, në zemrat e të rinjve vlon dëshira
për diçka më të thellë, që ta vlerësojë plotësisht personalitetin e tyre”. Papa
Françesku i këshilloi ipeshkvijtë t’i nxisin të rinjtë të marrin pjesë në lëvizje
e veprimtari kishtare, të bëhen misionarë për t’u çuar të gjithëve Lajmin e Mirë të
Ungjillit. Vërejti më pas, rënien e thirrjeve në jetën rregulltare, sidomos në institutet
femërore: “Uroj që Institutet rregulltare femërore të vazhdojnë të jenë, në
përshtatje me kohën, vende të privilegjuara për afirmimin dhe zhvillimin njerëzor
e shpirtëror të grave. Rregulltaret të jenë gati për të kryer detyra e misione të
vështira e kërkuese, që vlerësojnë aftësitë e tyre intelektuale, emocionale e shpirtërore,
talentet e karizmat e tyre personale. Të lutemi për thirrje femërore e t’i vlerësojmë
motrat tona, që shpesh, heshtazi e pa u parë nga askush, ia kushtojnë jetën Zotit
dhe Kishës, në lutje, në baritori e në bamirësi”.