2014-02-07 13:46:00

Papa: të jesh i krishterë nuk është privilegj. Ungjilli duhet kumtuar me përvujtëri


“Ta kumtosh Ungjillin pa kërkuar përfitime, sepse je i krishterë”. Këtë kërkoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Homelia e Atit të Shenjtë u frymëzua nga martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit. Duke u nisur nga dëshmia e Shenjtit, nënvizoi se, ashtu si ai, dishepulli i vërtetë i Krishtit ndjek udhën e përvujtërisë, pa e përvetësuar profecinë.

Herodi i jep urdhër xhelatit t’ia presë kokën Gjonit, për të kënaqur tekat Herodiadës e trillet e së bijës. Gjatë homelisë, Papa Françesku u ndalua fort tek fundi tragjik i Gjonit, sipas rrëfimit të Ungjillit të sotëm. Gjoni, vërejti Papa, jetoi pak, pak kohë pati për ta kumtuar Fjalën e Zotit. Por pikërisht këtë burrë, jetëshkurtër, pse tejet guximtar, Zoti e dërgoi për t’ia përgatitur rrugën Birit të Vet. E Gjoni e përfundoi keqas jetën. Iu pre koka me një urdhër, që Herodi e dha nësa zdërhallej në gosti:
Në oborrin mbretëror mund të bësh e të gjesh gjithçka: korrupsion, vese, krime. Oborret i favorizojnë punë të këtilla. Po Gjoni? Ç’bëri Gjoni? Para së gjithash, kumtoi Zotin. Kumtoi se Shëlbuesi ishte afër, se ishte fare pranë Mbretëria e Zotit. E këtë e bëri me forcë. Pagëzonte. I nxiste të gjithë të ktheheshin në rrugën e Zotit. Ishte burrë i fortë. E kumtonte Krishtin”.
Gjëja e parë, e madhe, që bëri Gjoni, është të kumtonte Krishtin. Gjëja tjetër, që bëri, vijoi Papa, është se nuk e përvetësoi autoritetin e Tij moral. Papa kujtoi se atij iu krijua edhe mundësia të thoshte: “Unë jam Mesia’, sepse kishte shumë autoritet moral. Të gjithë rendnin pas tij. E Ungjilli rrëfen se Gjoni u bënte thirrje të gjithëve të nisnin kthesën e madhe e të ecnin në rrugën e drejtë të Zotit. E farizenjtë e doktorët e dijetarët e ndjenin këtë forcë, që rrezatonte nga e gjithë figura e tij. Figurë e njeriut të drejtë, pa asnjë njollë. E pyetën, prandaj, a ishte ai mesia. E në këtë çast tundimi, mburrjeje, ai mund të dredhonte e të thoshte: “Epo, nuk e di si të them…”, duke e fshehur fytyrën pas një maske përvujtërie të rreme. Por ai, pa asnjë luhatje, foli qartë: “Jo! Nuk jam! Pas meje vjen një, që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as të ulem e t’i zgjidh lidhëzat e të mbathurave”. Gjoni, pohoi Papa, ishte tejet i qartë: nuk e vodhi titullin. Nuk e përvetësoi mjeshtrinë. E kjo është gjëja e dytë që bëri, ky burrë i vërtetë, që i përkiste së vërtetës.
Gjëja e tretë që bëri Gjoni, ishte përpjekja për t’i përngjarë Krishtit. Deri Herodi, që ia preu kokën, besonte se Jezusi ishte Gjoni. Gjoni, vërejti Papa, i përngjau Jezusit posaçërisht në udhën e përuljes. U përul, u ul deri në fund të fundit, deri në vdekje. E në një vdekje të ngjashme me Mjeshtrin, të turpshme: ai me kokë të prerë, Jezusi, si të ishte cub, hajdut, kriminel, i mbërthyer mbi kryq:
“Vdekje poshtëruese. Po edhe Gjoni e pati Kopshtin e tij të Ullinjve, ankthin e tij në burg, kur besonte se mund të kishte gabuar e se Mesia mund të ishte një tjetër. Errësira e shpirtit, ajo errësirë, që pastron, si e Jezusit në Kopshtin e Ullinjve”.
E këtu Ati i Shenjtë kujtoi Nënë Terezën, duke e vënë ballë për ballë me Gjon Pagëzuesin. Paralelizëm prekës: Burri i fortë e Gruaja e fortë, dy njerëz që, duke kapërcyer errësirën pastruese, dolën në dritën e vërtetë të Zotit.
Kasnec i Jezusit, shtoi Papa në vijim, Gjoni nuk e përvetësoi profecinë, duke u bërë kështu ikona e dishepullit. Por, pyeti më pas, ku e gjeti burimin e kësaj sjelljeje prej dishepulli? Në një takim. Ungjilli, kujtoi, na flet për takimin e Marisë me Elizabetën, kur Gjoni hovi nga gëzimi në kraharorin e së ëmës. Ishin kushërinj e, ndoshta, vijoi Papa, më pas u takuan shumë herë. E këto takime e mbushën me gëzim, me gëzim të pamasë shpirtin e Gjonit, duke e shndërruar në dishepull. Gjoni është njeri, që kumton Jezu Krishtin, që nuk vihet në vend të Jezu Krishtit, që ecën në udhën e Jezu Krishtit:
“Na bën mirë sot, ne, ta pyesim veten mbi dishepullatin: a e kumtojmë Jezu Krishtin? Kërkojmë a nuk kërkojmë përfitime, pse jemi të krishterë, si të ishte ky ndonjë privilegj? Gjoni nuk e përvetësoi profecinë. Së treti: a ecim në udhën e Jezu Krishtit? Në udhën e përvujtërisë, të përuljes për të shërbyer? E nëse e shikojmë se nuk jemi të vendosur në këtë rrugë, duket të pyesim: ‘Po kur u takova me Jezusin, në atë takim, që më mbushi me gëzim?’. E të rikthehemi në takim, të rikthehemi në Galilenë e parë të takimit. Të gjithë e kemi një të përbashët. Të rikthehemi atje! Ta ritakojmë Zotin e të ecim përpara në këtë rrugë tejet të bukur, në të cilën Ai duhet të rritet, e ne të zvogëlohemi”.












All the contents on this site are copyrighted ©.