2014-02-06 14:42:35

Gëzimi i Ungjillit - tundimet e punëtorëve baritor


RealAudioMP3 Në pjesën e sotme të paraqitjes së thirrjes apostolike Gëzimi i Ungjillit, do të flasim për ato që Papa Françesku i quan “tundimet e punëtorëve baritorë”. Para së gjithash Papa nënvizon faktin se ndihma, që Kisha i jep botës, është e pallogaritshme dhe nuk mund të zbehet krejtësisht për shkak të mëkateve të disa anëtarëve të Kishës: “Dhimbja dhe turpi ynë për mëkatet e disa anëtarëve të Kishës dhe për mëkatet vetjake nuk duhet të na lejojnë të harrojmë sa të krishterë e dhurojnë jetën për dashuri: ndihmojnë shumë njerëz për t’u shëruar, ose për të vdekur në paqe, nëpër spitale të sajuara, ose marrin përdore njerëzit e skllavëruar nga vartësitë e ndryshme, në vendet më të varfra të tokës, ose shkrihen në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, apo kujdesen për pleqtë e braktisur nga të gjithë, ose përpiqen të përçojnë vlerat nëpër mjedise armiqësore, ose kushtohen në shumë mënyra të tjera, që vënë në dukje dashurinë e pafundme për njerëzimin, që na frymëzon Hyji i bërë njeri” (n. 76).
Megjithatë, edhe mes anëtarëve të kishës, tek punëtorët e saj baritorë, mund të formohet një mendësi, që e mbyt gëzimin e Ungjillit. Kjo mendësi, që mund të jetë karakteristikë e kulturës së globalizuar, i shtyn shpesh herë të krishterët, duke përfshirë edhe të shuguruarit, të “shqetësohen jashtë mase për hapësirat personale të autonomisë e të pushimit, që na bën t’i përjetojmë detyrat vetëm si një shtojcë të jetës, si të mos ishin pjesë e identitetit vetjak” (n. 78). Kjo lloj sjelljeje karakterizohet nga tri të këqija: individualizmi, kriza e identitetit dhe mungesa e zellit.
Kultura mediatike ushqen tundimin për të qenë si të gjithë të tjerët, prandaj, tek të krishterët e angazhuar në fushën e ungjillëzimit, mund të krijohen komplekse inferioriteti, që ia zënë frymën misionit dhe çojnë drejt relativizmit praktik, që është më i rrezikshëm se ai doktrinar: “Ky relativizëm praktik vihet re kur sillemi sikur Hyji të mos ekzistonte, marrim vendime sikur të varfrit të mos ekzistonin...” (n. 80).
Edhe laikët, shkruan Papa, përpiqen të shmangin çdo angazhim, që mund t’u zërë kohën e lirë: “Sot, për shembull, është bërë shumë e vështirë të gjesh katekistë të përgatitur nëpër famulli, të cilët u rrinë besnikë detyrave të tyre për shumë vite” (n. 81). Punëtorët baritorë, pra, janë të tunduar nga amullia egoiste, e cila nuk i lejon të provojnë shijen e misionit, për këtë arsye detyrimet i lodhin të krishterët “më shumë sesa është e arsyeshme dhe nganjëherë i bëjnë të sëmurë”. Me këtë sjellje, punëtorët baritorë rrezikojnë të fshihen pas organizimeve dhe të lënë pas dore përmasën e domosdoshme të marrëdhënieve personale me të tjerët, por kështu “zhvillohet psikologjia e varrit, që dalë ngadalë i shndërron të krishterët në mumie për muze” (n. 83). Përveç amullisë së egoizmit, punëtorët baritorë nuk duhet të vuajnë nga pesimizmi shterpë. Nuk mungojnë vështirësitë, as zhgënjimet, por “feja jonë gjendet përballë sfidës, për të parë verën, në të cilën mund të shndërrohet uji, dhe për të zbuluar grurin, që rritet mes egjrës” (n. 84). Nuk duhet lejuar të zhvillohet parandjenja e humbjes, që na shndërron në pesimistë fytyrëngrysur: “Askush nuk mund të nisë një betejë, nëse më parë nuk beson plotësisht në ngadhënjimin. Kush fillon pa qenë i bindur, e ka humbur që në fillim gjysmën e betejës dhe i ka futur në dhe talentet e veta” (n. 85). Shkretimi shpirtëror, që shkakton sjellja e botës pa Hyjin, përndjekja e të krishterëve në shumë vende dhe, nganjëherë edhe vështirësia për ta jetuar fenë brenda familjes, nuk duhet të na e heqin shpresën, por duhet të na shndërrojnë në burim, në këtë shkretëtirë” (n. 71).
Sfida e madhe e të krishterëve është ajo e thurjes së marrëdhënieve ndërpersonale: “Të dalësh nga vetvetja, për t’u bashkuar me të tjerët, bën mirë. Të mbyllesh në vetvete, do të thotë të shijosh helmin e të këtejshmes dhe njerëzimi do të dëmtohet me çdo vendim egoist që marrim” (n. 86). Zhvillimi i komunikimit dhe shumimi i mjeteve për t’u lidhur me të tjerët duhet ta ndihmojë rritjen e marrëdhënieve, por pa e flijuar konkretësinë e marrëdhënieve, që na lejon ta përçojmë gëzimin ngjitës të Ungjillit, duke u takuar “trup më trup, vazhdimisht” (n. 88), sepse, “ashtu si disa do të donin një Krisht krejtësisht shpirtëror, pa mish e pa kryq, mëtojnë edhe të zhvillojnë marrëdhënie ndërpersonale vetëm nëpërmjet mjeteve të sofistikuara, ekraneve dhe sistemeve, që mund të ndizen e fiken me komandë” (n. 88). Marrëdhëniet personale dhe takimi me të tjerët bëjnë të mundur ndërtimin e bashkësisë dhe kështu shmanget rreziku për të zhvilluar “përshpirtërinë e mirëqenies pa bashkësinë dhe teologjinë e prosperitetit pa angazhimin vëllazëror” (n. 90).








All the contents on this site are copyrighted ©.