2014-02-06 16:11:49

Atë Eduadrd Robles Gil Orvañanos (Eduardo Robles Hil Orvanjanos) është eprori i ri i përgjithshëm i Legjionarëve të Krishtit


Kapitulli i Përgjithshëm i Legjionit të Krishtit ka vijuar zgjedhjen t eprorëve të rinj të kongregatës dhe ka zgjedhur si epror të përgjithshëm Atin Eduardo Robles Gil për një mandat gjashtëvjeçar.
Votimet për drejtuesit e rinj të Legjionit të Krishtit u zhvilluan më 20 janar, por Papa Françesku i kishte dhënë Kapitullit të Përgjithshëm udhëzimin për të mos i njoftuar përfundimet e zgjedhjeve deri kur Selia e Shenjtë të jepte miratimin e saj. Sot paradite sekretari i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare, Kryeipeshkvi José Rodríguez Carballo O.F.M. (Hoze Rodriges Karvajo) e ka komunikuar personalisht miratimin e zgjedhjeve nga ana e Selisë së Shenjtë .
Përveç drejtorit të përgjithshëm, janë zgjedhur këshillëtarët e përgjithshëm, Etërit Sylvester Heereman, nga Gjermania, dhe Jesús Villagrasa (Hesus Vijagrasa), nga Spanja. Sipas urdhërimeve të Papës Françesku, Selia e Shenjtë ka emëruar dy këshilltarë të tjerë: Atin Juan José Arrieta (Huan Hose Arrieta), nga Spanja, i cili është edhe vikar i përgjithshëm, dhe Atin Juan Maria Sabadell (Huan Maria Sabadej), nga Spanja.
Kapitulli i përgjithshëm, më tutje, zgjodhi administrator të përgjithshëm Atin José Cárdenas (Hose Kardenas) nga Meksika dhe Hetues të përgjithshëm Atin Clemens Gutberlet, nga Gjermania.
Me këtë zgjedhje e përfundon mandatin Ati Álvaro Corcuera, i cili nuk e ushtronte detyrën që prej vitit 2011, për arsye shëndetësore, prandaj u zëvendësua nga Ati Sylvester Heereman.
Ati Eduardo Robles Gil u lind në Qytetin e Meksikos në vitin 1952. Mori kushtet në Lëvizjen Regnum Christi në vitin 1975 dhe hyri në Legjionin e Krishtit në vitin 1977. U shugurua meshtar në vitin 1983, në qytetin e lindjes dhe e ka ushtruar shërbesën meshtarake kryesisht në Spanjë, Brazil e Meksikë.
Në vitin 2011 u emërua nga Kardinali De Paolis anëtar i Komisionit të Pajtimit, i ngritur për kujdesin ndaj personave të lënduar nga Ati Maciel. Në vitin 2013 mëkëmbësi i Eprori të Përgjithshëm, me miratimin e Delegatit Papnor, e emëroi përgjegjës për territorin e Meksikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.