Toka e Shenjtë: raport mbi ndërhyrjet e Misionit Papnor në mbështetje të Gazës
Misioni Papnor për Palestinën ka bërë t njohur një raport të hollësishëm mbi ndihmat
urgjente që ka dhënë në përkrahje të popullsisë së Rripit të Gazës, pas operacionit
ushtarak “Shtylla e tymit”, që kryen në atë krahinë forcat e armatosura izraeliane
në nëntor të vitit 2012. Tetë ditë mësymje, që u sollën vdekjen 165 palestinezëve,
kryesisht civilë. Ndërhyrjet për ndihmë e përkrahje – shpjegon raporti i shpërndarë
nga agjencia Fides – kanë filluar menjëherë pas armëpushimit, falë donacioneve prej
400 mijë dollarëve, që u mblodhën nga organizma të ndryshëm të jashtëm e ndërkombëtarë,
përfshirë Veprën e Fëmijërisë Misionare gjermane (Kondermissionwerk). Sektorët e ndërhyrjes
kanë qenë ai shëndetësor, i asistencës psiko-shoqërore dhe meremetimi i shtëpive apo
ndërtesave të ndryshme, të dëmtuara nga bombardimet. Në fushën mjekësore, misioni
papnor është orvatur të plotësojë mungesën e ilaçeve dhe mjeteve shëndetësore, që
pas përfundimit të operacioneve ushtarake e bënte dramatike ndihmën për të lënduarit.
Ilaçet dhe pajisjet e mbledhura nga Misioni Papnor u kanë mundësuar ndihmën shëndetësore
më se 17 mijë vetëve, pa lënë pas dore nevojat ushqimore dhe shërbimet e nevojshme
për gratë shtatzëna dhe mjekimin e infeksioneve intestinale të shkaktuara nga uji
i ndotur. Programet e mbështetjes psiko-shoqërore janë organizuar në të mirë të rreth
gjashtëmijë fëmijëve të traumatizuar nga bombardimet dhe nga detyrimi për të braktisur
shtëpitë. Analizimi i hollësishëm i kësaj pjese të traumatizuar të fëmijëve të Gazës,
ka dalë shpesh herë në përfundimin se ata kanë vështirësi për të mësuar, për shkak
të rrethanave të vështira, në të cilat janë gjendur. Një pjesë e ndihmave të Misionit
Papnor është përdorur për të ndërtuar ose për të meremetuar dëmet që kanë pësuar shtëpitë
private të më se dyzet familjeve palestineze dhe ndërtesat e ndryshme të institucioneve
publike, përfshirë shkollat e Patrikanës Latine të Jerusalemit dhe Qendrën e Kulturës
Greko-ortodokse. Misioni Papnot për Palestinën administrohet nga Catholic Near East
Welfare Association, një agjenci e themeluar nga Selia e Shenjtë nën shtysën e Piut
XII në vitin 1949, për të ndihmuar refugjatët palestinezë.