Komunikata e Selisë së Shenjtë për Vërejtjet e OKB-së mbi respektimin e të drejtave
të fëmijëve në Vatikan
Në përfundim të seancës së tij të 65-të, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve botoi
Vërejtjet Përmbyllëse mbi shqyrtimin e Raportit të Selisë së Shenjtë dhe të pesë Shteteve
Anëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (Kongo, Gjermania, Portugalia, Federata
Ruse dhe Jemeni). Sipas procedurave të veçanta të parashikuara për anëtarët e Konventës,
Selia e Shenjtë i merr parasysh Vërejtjet Përmbyllëse mbi Raportet, të cilat do të
studiohen imtësisht dhe do të shqyrtohen, në respekt të plotë të Konventës, në rrafshet
e ndryshme të paraqitura nga Komiteti, sipas të drejtës dhe praktikës ndërkombëtare,
sikurse edhe duke mbajtur parasysh debatin publik me Komitetin, që u zhvillua më 16
janar 2014. Megjithatë, Selia e Shenjtë vëren me keqardhje se në disa pika të
Vërejtjeve Përmbyllëse ka një orvatje për të ndërhyrë në mësimet e Kishës Katolike
mbi dinjitetin e personit njerëzor dhe në ushtrimin e lirisë fetare. Selia e Shenjtë
e përtërin angazhimin e vet në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në një vijë me
parimet e miratuara nga Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve dhe sipas vlerave morale
e fetare të doktrinës katolike.