2014-02-03 12:46:22

Kardinali Joao Braz de Aviz: Viti i Jetës Rregulltare është një dhuratë e madhe nga Papa


Siç dihet, Kisha do t’ia kushtojë 2015-tën jetës së shuguruar. Dymbëdhjetë muaj plot me nisma, rëndësinë e të cilave Papa e theksoi edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje. Radio Vatikani intervistoi prefektin e Kongregatës për Jetën Rregulltare, Kardinalin Joao Braz de Aviz (Zhoao Bras de Avis), i cili flet për gëzimin e eprorëve të kongregatave rregulltarë kur, gjatë takimi, në fundin e nëntorit të kaluar, Papa i njoftoi të parët për hapjen e këtij viti të veçantë:RealAudioMP3
Më kujtohet gëzimi, që shpërtheu, për shkak të këtij lajmi, tek të gjithë të pranishmit dhe më kujtohet edhe se njëri nga eprorët e përgjithshëm tha kështu: “Papa na mblodhi si vëllezërit e shumtë të një familjeje të vetme dhe, si një atë, na foli si në shtëpi”. Një mënyrë shumë e bukur, për të treguar besimin, afërsinë, gjithçka që mund të ndjehej në atë moment. Ky njoftim erdhi si një gjë e natyrshme, por edhe e domosdoshme, për të gjithë ne. Jemi shumë të kënaqur, sepse kjo pjesë e historisë, që po përjetojmë, është plot me mundime e vështirësi, prandaj nxjerrja në dritë e këtyre aspekteve të Kishës, që përfaqësojnë rregulltarët e rregulltarët, është shumë e rëndësishme. Zgjedhja e vitit 2015 ka edhe arsye të tjera, si, për shembull, fakti që mbushen pesëdhjetë vjet nga Perfectae Caritatis, dekreti mbi Jetën Rregulltare, i cili përditësoi jetën rregulltare. Dëshirojmë që ky çast e kjo përtëritje e pesëdhjetë viteve të fundit, të mund ta shtyjë përpara edhe tani jetën rregulltare.
Çfarë prisni nga kjo nismë?
Edhe ne përpiqemi të shikojmë, gjithnjë e më shumë, drejt të ardhmes. Viti i Jetës Rregulltare do të na ndihmojë shumë për këtë gjë. Prandaj, verë e re në kacekë të rinj. Nuk duhet të qahemi, të kërrusemi mbi problemet, por, siç ka Bërë Jezusi me anë të kryqit, nëpërmjet pastrimit të historisë, duhet ta ndezim brenda nesh këtë gëzim, këtë plotësi të jetës me Të, që mund të na e japë jeta rregulltarë. Kjo është rruga që po përpiqemi të bëjmë. Tani do të fillojmë të mendojmë si duhet ta realizojmë konkretisht. Dëshirojmë t’u përgjigjemi edhe pyetjeve që Papa na drejton vazhdimisht ne rregulltarëve. Kemi mbledhur, ndoshta, rreth pesëdhjetë pyetje, që ai na drejton, dhe i kemi vënë në dukje, kështu që, gjatë gjithë këtij viti, të mund të përgjigjemi dalë ngadalë. Pastaj do të vijnë nismat e ndryshme, që do të përpiqemi të organizojmë. Do të organizohen mbledhjet e eprorëve të përgjithshëm, të përgjegjësve për formimin rregulltar dhe do të organizohen mbledhje të ndryshme, të cilat do të na e bëjnë të mundur ta konkretizojmë këtë vit.








All the contents on this site are copyrighted ©.