Papa në Meshën kushtuar Jetës Rregulltare: Jezusi të jetë gjithnjë në qendër, larg
mbylljeve e rreptësisë
Në qendër të jetës së rregulltarëve, të jetë gjithnjë Jezusi. Këtë nënvizoi, sot paradite,
Papa Françesku, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën e 18-të
Botërore të Jetës së Kushtuar, me rastin e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull,
që ndër ne njihet edhe si Festa e Zojës së Qirave, sepse plot dritë. Papa pohoi se,
në Kishë, ka rëndësi të dorës së parë takimi i respektimit të rregullave e profecisë,
i të rinjve e të moshuarve, pa mbyllje e rreptësi.
Bekimi
i qirinjve nga Papa, procesioni në zemër të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërsa kori
këndonte “O dritë rrezëlluese, ndriçim i amshuar i Atit”. Nisi me këtë mënyrë, thellësisht
simbolike, Mesha, për Ditën e Jetës së Kushtuar. Në homeli, Papa u ndalua posaçërisht
tek skena kryesore e Ungjillit të sotëm: Paraqitja e Jezusit në tempull. Një ngjarje,
tha, që mund ta quajmë edhe festë e takimit të Jezusit me popullin e vet, e edhe
takim i të rinjve, Marisë e Jozefit e foshnjës së tyre të sapolindur, me Simonin e
Anën, të dy, të shtyrë në moshë. Prindërit e Jezusit, vijoi Papa, kanë gëzimin t’i
binden mësimeve të Zotit, gëzimin, të ecin sipas Ligjit të Tij: “Janë
dy bashkëshortë të rinj, sapo kanë pasur fëmijë e paraqiten këtu plot me dëshirën
të bëjnë atë, që është shkruar. E ky nuk është fakt i jashtëm, nuk bëhet sa për ta
ndjerë veten në rregull, jo! Është dëshirë e fortë, e thellë, plot me gëzim. Është
ajo, që këndon Psalmi: ‘Në udhën e mësimeve tua, është gëzimi im. Ligji yt është kënaqësia
ime”. Ndërsa pleqve, thotë Shën Luka, u printe Shpirti Shenjt. Tregohet
se Simeoni ishte njeri i drejtë e i përshpirtshëm, që priste me etje ngushëllimin
e Izraelit. Ndërsa Ana. thuhet se ishte profeteshë, e frymëzuar nga Zoti: “Pra,
këta dy pleq ishin përplot me jetë! Plot me jetë, sepse të frymëzuar nga Shpirti Shenjt,
të bindur përballë veprimit të Tij, të ndjeshëm ndaj thirrjeve të Shpirtit të Zotit”. Papa
thelloi, kështu, kuptimin e këtij takimi ndërmjet të rinjve, plot me gëzim në sa
i binden Ligjit të Zotit e pleqve, plot me gëzim sepse frymëzohen prej Shpirtit Shenjt: “Është
takim i jashtëzakonshëm i nënshtrimit ndaj Ligjit e profecisë, ku të rinjtë janë zbatues
të ligjit, pleqtë, profetikë! Nëse reflektojmë mirë, zbatimi i Ligjit frymëzohet nga
Shpirti Shenjt, e profecia lëviz në udhën e hapur nga Ligji. Kush, më shumë se Maria,
është përplot me Shpirtin Shenjt? Kush, më shumë se Ajo, i bindet me gjithë zemër
veprimit të Tij?”. Pikërisht në dritën e kësaj skene ungjillore, pohoi
Papa, e shikojmë jetën rregulltare si takim me Jezusin: “Është Ai,
që vjen tek ne, në krahët e Marisë e të Jozefit, e jemi ne, që shkojmë drejt Tij,
të prirë nga Shpirti Shenjt. Por në qendër është gjithjnjë Ai, Ai e vë në lëvizje
gjithçka. Ai na tëheq drejt Tempullit, drejt Kishës, ku mund ta takojmë, ta njohim,
ta mikpresim, ta përqafojmë”. Jezusi, tha Papa, vjen drejt nesh në Kishë
përmes dhantisë, që është në themel të institutit, e shtoi: “Sa gjë e bukur është
të mendosh kështu për thirrjen tënde”: “Takimi ynë me Krishtin mori
formën e vet në Kishë, përmes karizmës së një dëshmitari të Tij, të një dëshmitareje.
E kjo na mahnit gjithnjë, na nxit ta lumnojmë Zotin. E edhe në jetën rregulltare jetohet
takimi ndërmjet të rinjve e pleqve, ndërmjet zbatimit të ligjit e profecisë. Nuk duhet
t’i shikojmë kurrë si dy realitete, që i kundërvihen njëri-tjetrit!”. Ta
lëmë Shpirtin Shenjt t’i mbushë me frymëzim të dyja palët, porositi Papa, e shenjë
e këtij veprimi, është gëzimi: gëzimi që buron nga zbatimi i ligjit të Zotit, i ecjes
sipas një rregulle në jetë. Gëzimi, shtoi Papa, buron në shpirtin atij, që e ndjen
se prihet nga Shpirti Shenjt, prej këndej, nuk është kurrë i ngurtë, i rreptë, i mbyllur,
por gjithnjë shpirthapur për të dëgjuar zërin e Zotit, që flet, që hap, që prin, që
na fton të shkojmë drejt horizonteve të pafundme: “U bën mirë të moshuarve
t’ua përcjellin urtinë e tyre të rinjve; e u bën mirë edhe të rinjve ta bëjnë të vetën
këtë pasuri përvoje e urtie, jo për ta ruajtur në muze. Jo, jo, jo! Por për ta çuar
përpara. Për ta çuar përpara, duke përballuar sfidat e jetës. Për ta çuar përpara
për të mirën e familjeve të tyre rregulltare e të mbarë Kishës”.