Françesku, Lëvizjes Neokatekumenale: ju falënderoj për çka bëni në Kishë e në botë
Ta çojnë edhe në mjediset më të shkristianizuara, posaçërisht në periferitë ekzistenciale,
Ungjillin e Jezu Krishtit”. Ky është mandati i Papës Françesku për qindra familje
të Lëvizjes Neokatekumenale, që përgatiten të nisen në mision. Mijëra vetëve, mbledhur
sot në Sallën e Palit VI, Papa u kërkoi të jenë lajmëtarë të mirësisë e të mëshirës
së pakufishme të Atit.
Një det fytyrash,
të reja e shumë të reja. E ndërmjet tyre, si në një rreth unaze, guri i çmuar i më
se 400 familjeve që, së shpejti, do të nisen në mision; nëna, baballarë e fëmijë,
të gatshëm t’i lënë rrënjët e tyre, për t’i mbartur e për t’i mbjellur rrënjët e Ungjillit
në skajet më të largëta të botës. Posaçërisht në Kinë e në Indi. Reagimi i parë i
Papës Françesku ndaj sallës së mbushur përplot me anëtarë të Lëvizjes Neokatekumenale,
që e priti me një ngohtësi të jashtëzakonshme, ishte një fjalë falënderimi. Ndërmjet
meshtarëve e ipeshkvijtë të shumtë, në sallë spikasnin kësulat e kuqe të kardinajve,
por vëmendjen e Papës e tërhoqën kryesisht familjet, sidomos ato misionare, që iu
paraqiten Atit të Shenjtë nga nismëtari i Lëvizjes, Kiko Arguello(Arguejo): “Një
përshëndetje plot përzemërsi u drejtoj fëmijëve, të pranishëm me shumicë. Mendimi
im shkon posaçërisht tek familjet, që do të nisen drejt katër anëve të botës për ta
kumtuar e për ta dëshmuar Ungjillin. Kisha ju shpreh mirënjohjen e saj të thellë për
bujarinë tuaj! Ju falënderoj për gjithçka bëni në Kishë e në botë”. Më
pas, siç ngjet në prag të çdo misioni, falënderimet për ata që nisen, u shoqëruan
edhe me porosi, në mënyrë që ta kryejnë sa më mirë punën, qysh në fillim. Së pari
Papa u kërkoi neokatekumenalëve ta krijojnë e ta ruajnë bashkimim brenda Kishave të
veçanta, drejt të cilave po shkojnë: “Kjo do të thotë ta dëgjosh zërin
e Kishës, kah e cila po ju nisin drejtuesit tuaj, t’ia vlerësoni pasuritë, të vuani
për shkak të ligështive, po të jetë nevoja, e të ecni me të njëjtin hap, si një grigjë
e vetme, të prirë nga barinjtë e Kishave vendase. Bashkimi është themelor; nga një
herë është më mirë të hiqni dorë nga ndonjë hollësi e udhës juaj, për të garantuar
bashkimin ndërmjet vëllezërve, që formojnë një bashkësi të vetme kishtare, pjesë e
së cilës duhet ta ndjeni gjithnjë veten”. Bashkim shpirtëror, pra, por
edhe vëmendje ndaj rrethanave kulturore. Papa Françesku kujtoi se nuk ekziston veprimtari
misionare, që nuk paraprihet nga veprimi i Zotit, edhe në viset më të largëta, edhe
në kulturat më të ndryshme: “Bëhet fjalë për një ambient që shpesh
herë është shumë më i ndryshëm, sesa ky, të cilit i përkisni. Shumë prej jush do të
mundohen të mësojnë gjuhën e vendit, nganjëherë tejet e vështirë, e kjo përpjekje
është për t’u vlerësuar. Edhe më i rëndësishëm do të jetë impenjimi juaj ‘për të mësuar’
kulturat, që do të takoni, duke ditur ta dalloni nevojën për Ungjillin, i cili është
i pranishëm kudo, por edhe atë veprim, që Shpirti Shenjt ka kryer në jetën e në historinë
e çdo populli”. Neokatekumenalja, vërejti në vijim Papa, është lëvizje
kërkuese: kërkon që çdo anëtar të respektohet me durim e mëshirë, edhe në rastin kur,
nënvizoi, vendos të kërkojë, jashtë lëvizjes, forma të tjera të jetës së krishterë,
që e ndihmojnë t’i japë përgjigjen e duhur thirrjes së Zotit. Kjo është shenjë e pjekurisë,
përfundoi Papa, e pjekurisë në fe, të cilën e fiton pikërisht kush është gati të lërë
gjithçka, për të ndjekur Krishtin: “Të dashura familje, të dashur vëllezër
e motra, ju jap zemër ta çoni kudo, edhe në mjediset më të shkristianizuara, posaçërisht
në periferitë ekzistenciale, në skutat e jetës, Ungjillin e Jezu Krishtit! Ungjillëzoni
me dashuri, çojani të gjithëve dashurinë e Zotit! Thojuni të gjithë atyre, që do të
takoni rrugëve të misionit tuaj, se Zoti e do njeriun ashtu siç është, edhe me kufizimet
tij, me gabimet e tij, me mëkatet e tij. Të jini kasnecë e dëshmitarë të mirësisë
së pafundme e të mëshirës së pashterrshme të Atit qiellor”.