2014-01-31 17:13:58

Papa: doktrina e Kishës të mos shndërrohet në ideologji, por t’i shërbejë Popullit të Zotit


Të mos e shndërrojmë doktrinën e Kishës në ideologji, ose në teori abstrakte, por ta përdorim gjithnjë në shërbim të besimtarëve. Në audiencën me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Papa Françesku kërkoi që kriteret e fesë të udhëheqin gjithnjë fjalët e praktikën e Kishës. Kur feja shkëlqen për thjeshtësinë e saj, tha Ati i Shenjtë, edhe në shoqëri, Zoti është i pranishëm me gjithë forcën e Tij tërheqëse. Që kjo të ndodhë, vijoi Papa, nuk duhet ta kuptojmë doktrinën e krishterë si ideologji, ose ta reduktojmë në një sërë teorish abstrakte:RealAudioMP3
“Në të vërtetë, doktrina ka si qëllim të vetëm t’i shërbejë jetës së Popullit të Zotit, duke i siguruar fesë baza të shëndosha. Vërtet, është i madh tundimi për t’i paraqitur si tonat dhuratat e shëlbimit, që vijnë prej Zotit, për t’ua nënshtruar – ndoshta, edhe me qëllim të mirë - këndvështrimeve e shpirtit të kësaj bote. E ky është sigurisht, një tundim që përsëritet vazhdimisht”.
Më pas, Papa Françesku e falenderoi Kongregatën për Doktrinën e Fesë për trajtimin e disa çështjeve të rënda, siç është ajo e shpërdorimit seksual të të miturve. Në këtë fushë, lajmëroi risi:
“Mendoni për të mirën e fëmijve e të rinjve, që në bashkësinë e krishterë duhet të mbrohen e të përkrahen në rritjen e tyre njerëzore e shpirtërore. Po studiohet mundësia e lidhjes së Dikasterit tuaj me Komisionin e veçantë për Mbrojtjen e Fëmijëve, themeluar tashmë, që do të doja të ishte shembull për të gjithë ata, të cilët duan të punojnë për të mirën e fëmijëve”.
Ati i Shenjtë nuk mungoi të fliste për temën e Asamblesë, përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe Sakramentit të martesës:
“Kemi të bëjmë me një reflektim me rëndësi të madhe. Ai është në vazhdën e ftesës, që e pati formuluar qysh Benedikti XVI, rreth nevojës për t’i shqyrtuar deri në fund marrëdhëniet ndërmjet fesë personale dhe kremtimit të Sakramentit të martesës, sidomos në kuadrin e ndryshuar kulturor”.
Papa kujtoi se detyra e Kongregatës për të mbrojtur integritetin e fesë është mjaft delikate, prandaj duhet realizuar në bashkëpunim me barinjtë e vendit e me Komisionet doktrinore të Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore:
“Puna juaj përpiqet të ketë parasysh edhe kërkesat e dialogut konstruktiv, plot respekt e durim, me Autorët. Nëse e vërteta ka nevojë për besnikërinë, kjo e fundit shtohet për hir të dashurisë e ndihmës vëllazërore ndaj atij, që duhet t’i sqarojë, apo t’i maturojë bindjet e veta”.
Dikasteri për Doktrinën e Fesë, u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të asamblesë së përgjithshme, dallohet për frymën e kolegjialitetit e të dialogut. Kjo frymë duhet bërë metodë pune brenda Kishës, në çdo nivel:
“Jam i sigurtë se sa më shumë kolegjialiteti të jetë tipar karakteristik i punës, aq më shumë do të shkëlqejë para botës drita e fesë sonë. Në krejt shërbimin tuaj, uroj ta ruani gjithnjë ndjenjën e thellë të gëzimit, të gëzimit të fesë, që e ka burimin e pashterrshëm në Zotin tonë, Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.