2014-01-30 11:19:46

Zvicër: Kisha dënon nismën kundër ‘emigracionit në masë’: e katandis njeriun në mall!


“Njerëzit nuk janë mall tregu”: shumë i qartë titulli, që Komisioni “Drejtësi e Paqe” i Konferencës ipeshkvnore të Zvicrës (Ces), vë në krye të notës, shpërndarë të hënën e kaluar. Dokumenti është përgjigjja, që i jep Kisha të ashtuquajturës ‘nismë kundër emigracionit masiv”, nxitur nga disa prej partive të vogla zvicerane. Këto parti kërkojnë nga Shteti t’i frenojë valët e emigracionit, duke i vënë cak lëshimit të lejeve të qëndrimit për të huajtë dhe njerëzit në kërkim të strehimit. Kisha, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, i kundërvihet propozimit, që do të votohet nga popullsia më 9 shkurtin e ardhshëm. “Në këndvështrimin e krishterë, shpjegon Komisioni ‘Drejtësi e Paqe’, shqetësimet dhe objektivat e kësaj nisme tradhtojnë një vizion diskriminues e të diskutueshëm mbi njeriun. E jo vetëm kaq: nota nënvizon se në këtë propozim nuk pranohen të drejtat e punëtorëve të huaj, gjë që i hap portën shpërdorimeve të mundshme dhe e çnjerëzon burrin e gruan, sepse i shikon thjesht si masë njerëzish, pa fytyrë, pa të sotme, pa të ardhme. Si të mos ishin njerëz, por krahë pune. Mall tregu! Një nismë e tillë, vijojnë ipeshkvijtë helvetikë, i kundërvihet fuqimisht idesë themelore të krishterë, sipas së cilës është ekonomia ajo, që duhet t’i shërbejë njeriut, e jo njeriu ekonomisë”.
Nota i tërheq, pastaj, vëmendjen popullsisë të ruhet nga izolimi, që mund të bëhet realitet i trishtuar, në rast se propozimi miratohet. “Vendi ka shumë nevojë për Evropën, e Evropa, për kontributin e vendit”, theksohet në notën e ipeshkvijve. Nënvizohet, më pas, se disa të drejta të njeriut, si e drejta e strehimit ose e drejta e jetës në gjirin e familjes, nuk mund të shitblihen në treg, në emër të ekonomisë, sepse, gjithnjë sipas vizionit të krishterë, “çdo njeri është i krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit”. Prandaj duhet ndihmuar në çdo situatë, e sidomos, kur kalon çaste të vështira, kur persekutohet, detyrohet të ikë nga vatra e vet, nga gjiri i famijes e të niset udhë pa udhë për të shpëtuar kokën ose për të kërkuar një jetë më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.