2014-01-30 13:14:12

Papa Françesku: dyzim absurd, të duash Krishtin pa Kishën


I krishteri nuk mund të kuptohet pa Kishën”: kështu pohoi sot në mëngjes, Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë foli për tri shtyllat, mbi të cilat mbështetet përkatësia kishtare: përvuajtëria, besnikëria dhe lutja për Kishën.00:03:37:27
Homelia e Papës mori shkas nga figura e mbretit David, që paraqitet në liturgjinë e sotme. Njeri, që flet me Zotin, ashtu si biri flet me atin e vet, duke pranuar edhe “jo”-në si përgjigje, pa u mërzitur. Davidi, vërejti Ati i Shenjtë, e ndjente thellë në shpirt se i përkiste Popullit të Hyjit. Ky lexim liturgjik na nxit edhe ne ta pyesim veten nëse ndjehemi pjestarë të Kishës e si e kuptojmë dhe e jetojmë këtë përkatësi:
“I krishteri nuk është një i pagëzuar, që merr Sakramentin e pastaj, shkon në punë të vet. Fryti i parë i Pagëzimit është të të bëjë anëtar të Kishës, të Popullit të Zotit. Nuk mund të kuptohet i krishteri pa Kishën. Për këtë arsye, i madhi Pali VI thoshte se është dikotomi, apo dyzim absurd, ta duash Krishtin pa Kishën; ta dëgjosh Krishtin, por jo Kishën; të rrish me Krishtin në një cep të Kishës. Nuk është e mundur. Është dyzim absurd. Ne e marrim mesazhin ungjillor brenda Kishës e rritemi në shenjtëri brenda saj, në udhën që bëjmë brenda Kishës. Rruga tjetër është fantazi, ose, siç thoshte Papa, dikotomi absurde”.
Por si ta kuptojmë përkatësinë tonë në Kishë? Për këtë, nënvizoi Papa Françesku, na ndihmojnë tri shtylla mbështetëse. E para është përvuajtëria, e cila na bën të kuptojmë se është hir i madh të jemi anëtarë të një bashkësie, si ajo e krishterë:
“Njeriu që s’është i përvuajtur, nuk mund të ndjejë bashkë me Kishën, ndjen vetëm ç’i pëlqen asaj, apo atij. Por është pikërisht kjo përvuajtëri, që shihet në Davidin: ‘Kush jam unë, o Zot, e ç’është shtëpia ime?’. Me vetëdijen se historia e shëlbimit nuk ka filluar nga unë e nuk do të përfundojë kur të vdes unë. Jo, është histori e gjatë shpëtimi: lindesh, Zoti të merr, të bën të ecësh përpara, pastaj të thërret e kështu, historia vazhdon. Historia e Kishës ka filluar para nesh e do të vazhdojë edhe pas nesh. Përvuajtëri: jemi një pjesë e vogël e një populli të madh, që ecën në udhën e Zotit”.
Pilastri i dytë është besnikëria, e cila duhet lidhur me bindjen, vazhdoi Ati i Shenjtë:
“Besnikëri ndaj Kishës; besnikëri ndaj mësimeve të saj; besnikëri ndaj Besojmës; besnikëri ndaj doktrinës, të cilën duhet ta ruajmë. Përvuajtëri e besnikëri. Edhe Papa Pali VI thoshte se ne e marrim mesazhin e Ungjillit si dhuratë e duhet ta transmetojmë si dhuratë, por jo si diçka tonën: është dhuratë, që e kemi marrë, e që e japim. E në këtë transmetim, duhet të jemi besnikë. Sepse kemi marrë e duhet të japim një Ungjill, që s’është yni, por i Jezusit, prandaj, nuk duhet – siç thoshte Pali VI – të bëhemi zotër të Ungjillit, zotër të doktrinës që na është dhuruar, për ta përdorur sipas qejfit”.
Shtylla e tretë, tha Papa Françesku, është një shërbim i veçantë: “lutja për Kishën”. A lutemi për Popullin e Zotit? – pyeti Ati i Shenjtë. Në meshë, në shtëpi, kur lutemi për vete? Hyji na ndihmoftë ta kuptojmë më mirë përkatësinë tonë në Kishë, përfundoi Papa, e ta ndjejmë më tepër veten pjestarë aktivë të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.