2014-01-30 11:19:59

Medalje kanonizimi për Gjon Palin II e për Gjonin XXIII


Më 3 mars, Zyra vatikanase e Filatelisë dhe e Numizmatikës do të prodhojë dy medalje përkujtimore, me rastin e shenjtërimit të Papës Gjon Pali II dhe të Papës Gjoni XXIII. Në njërën anë të medaljeve, në bronx e në argjend, do të shihet stema e Papës Françesku, ndërsa në anën tjetër, profili i dy papëve shenjtorë.
Më 27 prill 2014, Ati i Shenjtë do t’i shpallë shenjtorë të Kishës Katolike paraardhësit e tij, Gjonin XXIII dhe Gjon Palin II. Do të jetë një çast i veçantë gëzimi e lutjeje për të gjithë besimtarët e botës, sidomos për shqiptarët, që vetëm dy ditë më parë do të përkujtojnë udhëtimin e paharruar të Papës Vojtila në Shqipëri, në vitin 1993. Gjatë asaj vizite, Papa polak i dha Shqipërisë hierarkinë e parë katolike pas komunizmit dhe e nxiti popullin të ecte përpara me guxim në udhën e demokracisë.
Me këtë lloj entuziazmi, ai udhëhoqi gjithë Kishën drejt mijëvjeçarit të tretë, duke u bërë një nga figurat historike më të rëndësishme jo vetëm për të, por për gjithë botën. Disa nga aspektet, që karakterizuan papninë e tij të jashtëzakonshme, gjatë së cilës kontribuoi si askush për rënien e komunizmit e për shembjen e perdes së hekurt, që e ndante Evropën më dysh, janë: udhëtimet apostolike nëpër botë; impenjimi në dialogun ekumenik; mbrojtja e vazhdueshme e vlerave morale, e jetës dhe e familjes; marrëdhëniet e ngushta me njerëzit, sidomos me të rinjtë; botimi i Katekizmit të Kishës Katolike; mënyra si u përball me sëmundjen, sidomos gjatë ditëve të fundit të jetës.
I Lumi Gjoni XXIII njihet si “Papa i mirë”. Kjo tregon jo vetëm për tiparet e buta të fytyrës, aq të dashura për besimtarët, por edhe për natyrën e tij prej bariu të kujdesshëm, që s’e humbiste rastin për të ngushëlluar nevojtarët, qoftë me pak fjalë. Do të kujtohet gjithnjë historikisht për intuitën e jashtëzakonshme që pati, kur mblodhi Koncilin II të Vatikanit, që ai vetë e hapi më 11 tetor 1962. Koncili shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e Kishës Katolike. Papa Gjoni XXIII vdiq më 3 qershor 1963 e pikërisht gjatë ditëve të trishtuara, në të cilat njerëzit i dhanë lamtumirën, u kuptua fare mirë sa shumë e donin e sa i madh qe Magjisteri i tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.