Papa në audiencën e përgjithshme: çdo fëmijë ta marrë Krezmimin, dhuratë drite, që
të lidh me Jezusin
“Ka shumë rëndësi të kujdesemi që të gjithë fëmijët e të rinjtë ta marrin Krezmimin,
sepse është Sakramenti, që u krijon kushtet ta jetojnë plotësisht jetën e krishterë”.
Kjo ishte porosia kryesore e Papës Françesku sot, gjatë katekizmit të audiencës së
përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Në përfundim, Ati i Shenjtë kërkoi
edhe një herë që puna, “burim i dinjitetit”, të jetë shqetësimi kryesor për njerëzit,
që drejtojnë pasurinë dhe jetën publike.
Shtatë dhurata,
që e bëjnë vezullues çdo njeri, por që shpesh dergjen e shuhen në një skutë të jetës
së shumë të krishterëve. Urtia, Dija, Këshilla, Burrëria, Shkenca, Mëshira, Frika
e Zotit; janë këto dhantitë, të cilat fitohen me Sakramentin e Krezmimit që, për fat
të keq, nuk pasqyrohen gjithnjë në dëshminë e jetës së të krishterëve. Edhe pse, sqaroi
Papa Françesku, vetë udha, në të cilën fëmijët hedhin hapat e para të jetës së krishterë,
nuk çohet deri në fund: “E për këtë ka rëndësi të kemi kujdes që fëmijët tanë,
të rinjtë tanë, ta marrin këtë Sakrament. Të gjithë ne kujdesemi t’i pagëzojmë;
e kjo është punë e mirë, Por kur bëhet fjalë për Krezmimin, nuk e kemi gjithë këtë
kujdes; kështu fëmijët mbeten në gjysëm të udhës. E nëse ju, në shtëpitë tuaja, keni
fëmijë që nuk e kanë marrë e janë në moshë për ta marrë, bëni ç’është e mundur për
ta çuar deri në fund udhën e hapur drejt jetës së krishterë, që ata të marrin forcën
e Shpirtit Shenjt. Mos e harroni, ka shumë rëndësi!”. Papa njoftoi se pikërisht
Dhuratave të Shpirtit Shenjt do t’u kushtojë katekizmat, që do të vijojnë mbi Sakramentet
e, si të donte t’u paraprinte, pohoi se çdo sakrament i veçantë, është një nga mënyrat
e zgjedhura nga Krijuesi për t’i formuar krijesat e veta ‘sipas shembëlltyrës të të
Birit”. Posaçërisht Krezmimi, theksoi Papa... : “... e rrit hirin e Pagëzimit;
bashkon më fort me Krishtin, përsos lidhjen tonë me Kishën, na jep forcën e madhe
të Shpirtit Shenjt për ta përhapur e për ta mbrojtur fenë, për ta dëshmuar emërin
e Krishtit e për të mos u turpëruar kurrë, kurrë, nga Kryqi i Tij”. E mijëra
guximtarëve, që mbushnin përplot Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar temperaturat
e ulëta të kësaj dite të ngrirë dimërore e spërkatjet e pareshtura të shiut të imtë,
si breshërizë dëbore, Papa Françesku u kujtoi edhe një hir tjetër të Sakramentit:
kur Shpirti Shenjt hyn në veprim, e përmbyt gjithë qenien e njeriut, gjithë jetën
e tij. Ndodh, kështu, një mrekulli e heshtur, mahnitëse, që e shndërron shpirtin njerëzor,
duke krijuar njerëz të aftë për t’i përballuar kryqet e Kryqin: “Kur ia hapim
zemrën tonë Shpirtit Shenjt dhe e lëmë të veprojë, Krishti vetë vjen në ne e merr
formën e jetës sonë; përmes nesh, do të jetë Ai – shikoni, dëgjojeni mirë këtë, e
- përmes nesh, do të jetë vetë Krishti ai, që do të lutet, do të falë, do të japë
shpresë e ngushëllim, do t’u shërbejë vëllezërve, do të jetë pranë nevojtarëve e të
fundmëve, do të krijojë bashkim e do të mbjellë paqe”.
Në përfundim, gjatë
përshëndetjeve të njerëzve të punës, të pranishëm në Shesh, prekja e disa tamatikave
të mprehta shoqërore, ndërmjet të cilave, ajo e punës:“Ndërsa ju shpreh afërsinë,
uroj të bëhet çdo përpjekje e mundshme nga ana e instancave kompetente, që puna, burim
i dinjitetit, të jetë kujdesi kryesor për të gjithë. E të mos mungojë kurrë! Sepse
është burim dinjiteti”.