2014-01-29 14:29:26

Papa, mjeshtër i komunikimit


Zhurmë, fjalë e foto, për Papën Françesku, që pjesa më e madhe e mjeteve të komunikimit e shikon si Mjeshtër në këtë fushë kaq delikate e kaq popullore.

Papa-Rolling Stones: bëri zhurmë të madhe, pozitive natyrisht, dukja e Françeskut në kapakun e revistës së muzikës rock e kulturës “Rolling Stones”, shoqëruar me një tekst të gjatë të Mark Binelit, i cili me fjalë, figura, metafora e koncepte, të përshtatshme për të rinjtë, tregon kush është Papa Françesku (“Pope Francis; The Times They Are A-Changin”-n°14). U fol shumë në televizion për këtë shkrim, e u shkrua shumë edhe në faqet e gazetave.
Papa-superman: zhurma e gazetave, kaloi edhe mbi mure: grafiti që e paraqet Papën si Superman(Mbinjeri), i cili u duk mbi murin e një shtëpie të Borgo Pio-s, pranë mureve të Vatikanit, bëri jehonë të madhe. Figura në grafit, e skicuar nga një dorë mjeshtri, shihej kudo në mesditë. Pasdite ngjarja u ndërlikua përmes një tweet-ti që rimerrte foton nga një faqe institucionale interneti.

Papa-Google: që nga fillimi i papnisë së Françeskut, shkruhet shumë në faqet e Google. Mjafton të klikosh emrin e tij, për të lexuar një mori shkrimesh, të Papës e që lidhen me Papën e ardhur nga fundi i botës, Papën, që i përket nga pak gjithë njerëzimit.
Shumë i pritën me simpati këto nisma thellësisht personale, por nuk munguan as ata, që iu sulën Selisë së Shenjtë, Sallës së Shtypit e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore.
Por me a pa fotografi e vlerësime, turmat vigane, që mblidhen vazhdimisht në mjediset e Vatikanit, duke nisur nga Kapelëza e Shtëpisë së Shën Martës, tashmë e njohur në gjithë botën, për të vijuar në Bazilikën e në Sheshin e Shën Pjetrit, flasin vetë. Tregojnë se Papa është Mjeshtër i vërtetë komunikimi, gjë që gjen shprehjen e vet edhe në një vlerësim tjetër: Papa “Personaliteti më i madh i viti 2013”, a “Burri i madh i viti të kaluar”, që pushtoi jo vetëm turmat e shesheve, por edhe ato të internetit, duke ua kaluar edhe burrave më të fortë të tokës, si Barak Obama. Këtë e nënvizon edhe Claudio Zamboni i 3rdPlace, shoqatë konsulence, që realizoi për Aleteia kërkimin “Interneti e do Papën Françesku”, për t’u thelluar në njohjen e shkaqeve të popullaritetit të Atit të Shenjtë në rrjet. Një det shkrimesh kushtuar fjalës e gjesteve të Papës, nga ana e Kishës e nga ana e mjeteve të komunikimit, që po detyrohen të merren përsëri, e fuqimisht, me galaksinë katolike. Valë shkrimesh e fjalësh, që sigurisht Kisha nuk ka nevojë ta shkatojë artificialisht. I mjafton figura e vetë Papës, mëkëmbës i Krishtit, e cila mund të shihet edhe në një sondazh, që vë në dukje figurat më të klikuara në internet. Sipas radhës: Papa Françesku; Barak Obama, Vladimir Putin;
Numri më i madh i kërkimeve mujore në Google: Papa Françesku, Barak Obama, Edward Snowden.
Më të klikuarit nga të rinjtë: One Direction; Justin Bieber, Papa Françesku. Klasifikimi dhe fotot janë të agjencisë ANSA.







All the contents on this site are copyrighted ©.