Bota që i shkruan Papës Françesku: çdo javë, lumë letrash në Vatikan
Disa mijëra në javë. Kjo është sasia e letrave, pakove, vizatimeve dhe objekteve,
që vijnë në Vatikan për Papën Françesku. Letrat, nga e gjithë bota, hapen e shfletohen
nga Zyra e Korrespondencës e Papës, në Pallatin Apostolik, e cila merret edhe me letrat,
që vijnë nga shqiptarët, kudo ndodhen. Shumë i shkruajnë Atit të Shenjtë për jetën
e tyre, shpesh, duke i kërkuar një këshillë për zgjidhjen e problemeve; të tjerë i
tregojnë tragjeditë e tyre personale, duke shpresuar të gjejnë tek Papa atë fije kashte,
që nuk i lë të mbytet, derisa ta marrin veten plotësisht; ndokush i shkruan një poezi,
për t’i thënë se e do fort; një tjetër i dërgon një shall të punuar me dorë, për ta
mbajtur ngrohtë në këto ditë dimri. Të gjithë e dinë adresën, si të ishte ajo e fqinjit:
Shtëpia e Shën Martës, Vatikan. E lumi i letrave tregon se shumë vetëve Ati i Shenjtë
u duket si të ishte fqinji i tyre. Tridhjetë thasë
çdo javë nga të katër anët e planetit, zarfe e pako të çdo forme e përmase, të gjitha
vërshojnë drejt korridorit të Llozhës së Tretë të Pallatit Apostolik, ku gjendet Zyra
e Korrespondencës e Papës, drejtuar nga imzot Giuliano Gallorini, në mikrofonin tonë: “Kërkesat
janë sidomos thirrje për ngushëllim e lutje. Ndoshta, për shkak të çastit që po jetojmë,
shumë kanë të bëjnë me vështirësi, e sidomos me sëmundje… Kërkojnë lutje për fëmijët,
përshkruajnë gjendje të vështira ekonomike. Përpiqemi t’u çojmë afërsinë e Papës,
i cili e ndjen vuajtjen, shqetësimin e tyre dhe u qëndron afër me lutje. Pastaj, për
sa është e mundur, i ndihmojmë këta njerëz, duke ua transmetuar kërkesat zyrave përkatëse.
Për shembull, kërkesat për ndihmë ekonomike u transmetohen Karitaseve dioqezane, që
t’i verifikojnë e të ndërhyjnë menjëherë”. Imzot Gallorini, motër Anna dhe
dy zonja: një skuadër e vogël për një mal me letra, në gjuhë të ndryshme. E pikërisht
këtu fillon përzgjedhja: fillimisht ndarja sipas gjuhës. Pastaj, letrat hapen e lexohen.
Kuptohet se Papa Françesku nuk mund t’i hapë ato një për një, pasi nuk do t’i mjaftonte
jeta për një punë të tillë. I takon Zyrës së Korrespondencës t’i shoshisë të gjitha
kërkesat, që nga përshëndetja e thjeshtë për Atin e Shenjtë tek problemet, që kanë
nevojë urgjente për zgjidhje. Por cilat janë letrat, që arrijnë në tryezën e tij të
punës? Sërish imzot Gallorini: “Janë rastet më delikate, si për shembull, rastet
e ndërgjegjes. Letrës i vihet një shënim dhe u kalon sekretarëve, që ia çojnë Papës
drejtpërdrejt: pa dyshim, e lexon, vë firmën e vet dhe na thotë si duhet të përgjigjemi”. Pra,
letrat e besimtarëve për Papën nuk mund të lexohen të gjitha nga Ati i Shenjtë, por
të gjitha marrin përgjigje. E këtu, puna e Zyrës së Korrespondencës bëhet vërtet jo
e lehtë, sepse edhe shprehja e një falenderimi për një dhuratë a për një përshëndetje,
kërkon një sintoni të veçantë me stilin e Papës: “Këto letra më shumë se me
mendje, duhen lexuar me zemër; duhet ndarë me shkruesin vuajtja e tij e duhen gjetur
fjalët e përshtatshme për të shprehur atë, që do vërtet të shprehë Papa: afërsinë,
pjesëmarrjen… Në fund të fundit, Papa thotë gjithnjë se bariu duhet të jetojë me grigjën,
me delet. Duhet ta ndjejë e ta jetojë çdo përvojë me to”.