2014-01-27 17:28:30

Dita e Kujtesës. Papa: të mos përsëriten më tmerre të tilla, turp i njerëzimit


Kurrë më Shoah, turp i njerëzimit. Kështu shkruan Papa Françesku, në Ditën e Kujtesës së shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, në një letër për mikun e tij, rabinin e Buenos Ajresit, Abraham Skorka. Teksti lexohet sot në Auditoriumin “Parku i Muzikës” së Romës, me rastin e koncertit “Violinat e shpresës”.
Kjo mënyrë më intime, me anë të një letre, u zgjodh kësaj radhe nga Ati i Shenjtë për të shprehur afërsinë e tij me popullin hebraik. Kush ta dëgjojë muzikën e përvajshme të telave të violinave, shkruan Papa për koncertin në kujtim të viktimave, “ta shohë vetveten në ato lot historike, që sot vijnë tek ne përmes violinave e, ta ndjejë fort dëshirën për t’u impenjuar, që tmerre të tilla, turp për njerëzimin, të mos përsëriten kurrë më”. Publiku do të dëgjojë muzikë nga Vivaldi, Beethoven e kompozitorë të tjerë të mëdhenj, shkruan Papa, nga dymbëdhjetë violina e një violonçel, mbijetuar nga koha e Shoah-ut, secila me historinë e vet dramatike, të gjithë, gjetur e restauruar nga mjeshtri izraelit, Amnon Vajnshtajn. Ndër to, një violinë, që i shoqëronte viktimat në dhomat e gazit në Aushvic; një tjetër, e hedhur nga treni gjatë udhëtimit për në kampin e përqendrimit, ruajtur nga një punëtor francez; të tjera, violina të muzikantëve hebrenj, që në vitin 1936 lanë Gjermaninë për të formuar Orkestrën Filarmonike të Palestinës e, pastaj, të Izraelit, të nxitur fort nga dirigjenti i famshëm italian, Toskanini e nga historiani e filozofi francez, Huberman për t’i shpëtuar nga internimi. Violinistët solistë janë përfaqësues të tre feve monoteiste, për të nënvizuar kështu aftësinë bashkuese të muzikës.
Dita e Kujtesës kremtohet edhe në Shqipëri e madje, atdheu i shqipeve është një ndër vendet e para, që e shënon në kalendar. Gjatë luftës, qindra e qindra hebrenj, që iknin nga vende të tjera të Evropës, ku kishte shkelur këmba naziste, fshiheshin dhe mbroheshin në Shqipëri. Mjafton për këtë, dëshmia në Muzeun e Holokaustit në Uashington, ku janë shkruar emrat e 2.264 hebrenjve, shpëtuar nga shqiptarët. Mjafton edhe fakti, se sot e kësaj dite, hebrenjtë vijnë si turista në Shqipëri, duke u kërkuar shoqëruesve shqiptarë t’i çojnë në vende të caktuara, për të takuar njerëz, emrat e të cilëve i marrrin me vete e i kujtojnë si shpëtimtarë të gjyshërve a të familjarëve të tjerë. Shpresojmë që sa më shpejt, të bëhet një studim strukturor për sjelljen e popullit shqiptar ndaj hebrenjve, popull, që bashkë me Ditën e Kujtesës së Shoah-ut, ka të drejtë të kremtojë edhe 6 marsin, Ditën e të Drejtëve, për të nderuar kështu, traditën e mikpritjes e të besës, që e kanë karakterizuar në shekuj.








All the contents on this site are copyrighted ©.