2014-01-26 10:47:55

Shpallet e lume nga Kisha Katolike, Maria Kristina e Savojës, mbretëreshë e dy Sicilive


Dje, në orën 11.00, në Napoli të Italisë, në Bazilikën e Shën Kjarës së Fretërve të vegjël, u kremtua mesha për lumnimin e mbretëreshës së dy Sicilive, Maria Kristina e Savojës. Përfaqësues i Papës Françesku ishte Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato. Biografinë e saj na e përshkruan në mikrofonin tonë, vetë kardinali:
Princesha Maria Kristina lindi në Kaljari më 14 nëntor 1812, e fundit e bijave të mbretit Viktor Emanueli I i Savojës dhe i Maria Tereza Habsburg-Este. Edukimi, arsimimi dhe formimi i krishterë e plazmuan që të vogël shpirtin e saj të mirë e bujar. E jetoi fëmijërinë dhe rininë në oborrin mbretëror të Torinos e në Pallatin Tursi të Gjenovës. Bukuria, kultura dhe vetitë morale e shpirtërore e bënin nuse të përshtatshme e të dëshiruar për shumë sovranë të epokës. Më 21 nëntor 1832, në moshën 20-vjeçare, u martua me 22-vjeçarin Ferdinandi II i Borbonëve, mbret i dy Sicilive, në shenjtëroren e Zojës së Ujit të Bekuar në Voltri, pranë Gjenovës. Në atë rast, mbretëresha, në marrëveshje me mbretin, vendosi të japë një pjesë të shumave, që u mblodhën nga martesa, për prikën e 240 vajzave të varfëra dhe për të paguar një numër të madh sendesh, që të varfërit kishin lënë peng.
Si grua e si mbretëreshë, Maria Kristina e Savojës qe model virtytesh. U kujdes veçanërisht për të varfërit, për të cilët promovoi e ngriti vepra të ndryshme asistence sociale, që mbajnë emrin e saj edhe sot. Vdiq e re, ndërsa lindte të birin, Françeskun. E vajtoi jo vetëm familja, por edhe gjithë populli napoletan. U varros në bazilikën e Shën Kjarës në Napoli e më 6 maj 1937, Papa Piu XI njohu zyrtarisht virtytet e saj heroike.







All the contents on this site are copyrighted ©.