2014-01-26 11:53:36

Papa mbyll Javën për Bashkimin e të Krishterëve: “Ndarjet, shkandull. Ecja së bashku është tashmë unitet”


“Ecja së bashku është tashmë unitet. Të krishterët mund t’i kapërcejnë ndarjet e të bashkohen përmes forcës së Shpirtit Shenjt”. Me këto fjalë mund ta përmbledhim homelinë, që mbajti mbrëmë Papa Françesku, gjatë kremtimit të uratëve mbrëmësore në përfundim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Kremtimi u mbajt në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, në festën e Kthimit të Apostullit të Popujve. Në Lutje morën pjesë shumë përfaqësues të Kishave dhe të Bashkësive të tjera kishtare.RealAudioMP3

“Krishti nuk mund të ndahet! Ndarjet e të krishterëve janë shkandull, që i dëmton të gjithë”. Papa Françesku e përfundoi kështu, mbi varrin e Shën Palit, së bashku me përfaqësuesit e Kishave dhe të Bashkësive të tjera të krishtera, Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Për të mos shkandulluar botën, të ecim së bashku, sepse ecja së bashku vëllazërisht drejt unitetit, kujtoi Papa Françesku, është tashmë unitet. Bashkimi qëndron gjithnjë përmbi konfliktet, e pajtimi i larmive, dhuratë e Shpirtit Shenjt, në fund të fundit nuk vjen si mrekulli, por vjen gjatë ecjes së bashku:
Nëse ne nuk ecim së bashku, nëse nuk lutemi njëri për tjetrin, nëse nuk punojmë për shumë gjëra, që mund t’i bëjmë në këtë botë për Popullin e Zotit, uniteti nuk do të vijë”.
Gjithsesi Papa kujtoi, me besim të plotë se, pavarësisht nga vështirësitë, Krishti i shoqëron të gjithë:
Zoti na pret të gjithë, na shoqëron të gjithë, është me ne të gjithë në këtë udhë drejt bashkimit”.
Nuk është e mundur, vërejti Papa, t’i shikosh ndarjet në Kishë si fenomen i natyrshëm, i pashmangshëm:
Ndërsa jemi këtu, të bashkuar në lutje, vërejmë se Krishti, që nuk mund të ndahet, dëshiron të na tërheqë drejt vetes, drejt ndjesive të zemrës së Tij, drejt lëshimit gjithë besim në dorë të Atit, drejt zbrazjes së plotë, për dashuri të njerëzimit. Vetëm ai mund të jetë zanafilla, shkaku, forca lëvizëse e bashkimit tonë. Ndërsa jemi në praninë e tij, bëhemi edhe më të vetëdijshëm se nuk mund t’i shikojmë ndarjet në Kishë si fenomen në një farë mënyre i natyrshëm, i pashmangshëm për çdo formë jete shoqërore. Ndarjet tona e plagosin korpin e Krishtit, e plagosin dëshminë, që jemi të thirrur të japim në botë”.
Këtë bashkim kërkon Shën Pali në bashkësinë e Korintit, të tronditur nga përçarjet, sepse njëri pohon “Unë jam i Palit”, tjetri “Jam i Çefës” e tjetri akoma “Jam i Apolit” ose ‘i Krishtit”, duke përdorur kështu emrin e të vetmit Shëlbues, për të ndenjur larg vëllezërve të tjerë të bashkësisë. E bashkimi, që kërkon Pali, nënvizoi Papa, nuk mund të jetë fryt i strategjive njerëzore:
Ndërsa shikojmë plot mirënjohje hapat, që Zoti na ndihmoi të bëjmë, e pa i fshehur vështirësitë që kalon sot dialogu ekumenik, kërkojmë të vishemi të gjithë me ndjenjat e Krishtit, që të mund të ecim drejt unitetit të dëshiruar nga Ai vetë”.
Më pas Papa Françesku kujtoi impenjimin ekumenik, që e ka aq për zemër, nësa ecën në gjurmët e paraardhësve të tij, Gjoni XXIII, Pali VI e Gjon Pali II:
"Vepra e këtyre Papëve ndihmoi që përmasa e dialogut ekumenik të bëhej aspekt themelor i misionit të Ipeshkvit të Romës, aq sa sot nuk do të kuptohej plotësisht shërbimi papnor, pa përfshirë në të edhe këtë gatishmëri për dialog me të gjithë besimtarët në Krishtin”.
Udha ekumenike, vijoi Ati i Shenjtë, krijoi kushtet për ta thelluar kuptimin e misionit të Pasardhësit të Shën Pjetrit e duhet të kemi besim se do të ecet në këtë drejtim edhe në të ardhmen.









All the contents on this site are copyrighted ©.