2014-01-26 10:43:41

Papa Françesku kremton mbrëmësoret në përfundim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve


Përfundoi mbrëmë Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, në festën e Kthimit të Shën Palit Apostull. Papa Françesku kremtoi lutjet mbrëmësore, në praninë e besmitarëve të konfesioneve të ndryshme të krishtera në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve. Në qendër, dëshmia e përbashkët për Krishtin në botën e sotme. E veçantë, prania e një grupi studentësh nga Instituti ekumenik i Bossey-t në Zvicër. 31 të rinj, të udhëhequr nga drejtori i Institutit, rev. Ioan Sauca, i Patrikanës ortodokse të Rumanisë. Studentët vijnë nga kontinente të ndryshme e përfaqësojnë tradita të ndryshme të krishtera. Azia e Oqeania, Afrika, Lindja e Mesme, Evropa e të dyja Amerikat përfaqësohen nga të rinj prej Kinës, Mianmarit, Sri Lankës, Nigerisë, Beninit, Libanit, Armenisë, Gjermanisë, Greqisë, Rumanisë, Panamasë, SHBA-ve e shteteve të tjera. Një e treta e tyre janë të shuguruar e kanë përvojë shërbimi në Kishat e tyre. Pjesë e grupit ishin 5 murgesha, tri katolike e dy ortodokse. 31 studentët përfaqësonin 9 Kisha ortodokse, 1 Kishë ortodokse lindore, 5 prej tyre ishin metodistë, 3 anglikanë, 3 katolikë, 2 luteranë, 2 baptistë, 2 anëtarë të Këshillit të Kishave në Kinë, 2 anëtarë të Kishave Uniate, 1 protestant, 1 i Kishës së pavarur afrikane.
Instituti universitar i Bossey varet nga Këshilli Ekumenik i Kishave në Gjenevë dhe zhvillon kurse për të gjithë ata, që më pas, marrin pjesë aktive në dialogun ekumenik. Gjuha e përdorur për mësimdhënien është anglishtja. Dy anëtarë të personelit janë myslimanë.
Ndërkaq, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve përfundoi kudo në botë, edhe në Shqipëri, ku u karakterizua nga lutje të përbashkëta të katolikëve me ortodoksët, në praninë e shtatores së Zojës së Fatimës.
Në Portugali, përfaqësues të Kishës Katolike, të asaj luzitane, presbiteriane, metodiste dhe otrodokse nënshkruan po dje në Lisbonë një Deklaratë për njohjen e Sakramentit të Pagëzimit. Ceremonia u zhvillua në kuadrin e një kremtimi ekumenik në katedralen luzitane të Shën Palit.
Në Venedik, dje në orën 18.30, Javën e lutjes e mbylli mbrëmja e lutjes për paqen, në praninë e Patrikut katolik, Françesko Moralia dhe të bashkësisë ortodokse rumune.








All the contents on this site are copyrighted ©.