Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve: zanafilla, zhvillimi, temat
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është nismë ndërkombëtare lutjeje ekumenike
kristiane, që kremtohet çdo vit ndërmjet 18 e 25 janarit. Është tetëditsh lutjeje,
domethënë, zgjat tetë ditë Nuk është diçka e re, që bashkësitë e ndryshme kristiane
të mblidhen e të luten për bashkimin: janë mbledhur gjithnjë e gjithnjë edhe janë
lutur, por, veç e veç. Ndërsa aty nga fundi i shtatëqindës e në vijim të tetëqindës,
u vërejtën disa nisma lutjeje me këtë ndjet, posaçërisht ndërmjet bashkësive protestante
e anglikane. Në fillim autoritetet katolike i shikuan me shumë dyshim, madje edhe
i ndaluan. Tetëditëshi i parë, në formën e këtij të sotëm, lindi me nismën e dy
ministrave, që shkëmbenin letra me njëri tjetrin: anglezit Spencer Jones, anglikan
dhe Paul James Francis Watson, episkopalian, domethënë, anglikan amerikan. Në
vitin 1907, i nderuari James propozoi që, më 29 qershor të çdo viti, të caktohej
një ditë lutjeje për kthimin e unitetit ndërmjet anglikanëve dhe të gjithë ndjekësve
të Krishtit, në bashkim me Selinë Romake. Një vit më pas, Watson e zgjeroi idenë,
duke propozuar që dita e lutjes së përbashkët, të bëhej javë, tetëditësh lutjesh,
“për t’i lypur përvujtërisht Zotit rikthimin e të gjitha deleve në vathën e Shën Pjetrit,
të vetmit Kryebari”. E pikërisht atë vit (1908) lindi zyrtarisht Java e Lutjes për
Bashkimin e të Krishterëve, që do të bëhej, pastaj, traditë ekumenike. Watsoni
vendosi ta niste Tetëditshin në ditën e festës së Dëshmisë së Shën Pjetrit (variant
protestant i Katedrës së Shën Pjetrit) e për ta përfunduar me festën e Kthimit të
Shën Palit. Që asokohe këto dy data (18 e 25 janar), shënuan fillimin e Tetëditshit
në botën anglikane. Në mjediset katolike nisma u miratua shprehimisht nga disa
papë (Piu X, Benedikti XV), por jo si lutje e përbashkët me të krishterët e tjerë.
Katolikëve u drejtohej ftesa të luteshin “për kthimin e disidentëve, në gjirin e Romës”e
vetë Watson, i kthyer ndërkohë në fenë katolike romake, e quajti “Chair of Unity Octave”,
për të theksuar lidhjen ndërmjet bashkimit të të krishterëve e parisë së Papës. Në
mjediset protestante lëvizja ekumenike “Faith and Order” (Fe e Kushtetutë) në vitin
1926 propozoi një tetëditësh, që të niste ditën e Rrëshajëve (tradicionalisht, ditë
e themelimit të Kishës së Krishtit). Sot kjo periudhë vijon të shfrytëzohet për tetëditshin,
në disa vende protestante. Në vitin 1941 lëvizja “Faith and Order” e ndryshoi përsëri
datën e Javës protestante, me qëllim që të përkonte me atë të katolikëve. Më 1948,
me themelimin e Këshillit Ekumenik të Kishave, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve
u përhap gjithnjë më shumë në kishat e botës mbarë. Ishte Koncili II i Vatikanit
ai, që i hapi rrugën thellimit të ekumenizmit, duke krijuar, më 1966, Këshillin Papnor
për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, me dëshirën e Gjonit XXIII.Nisi kështu
edhe krijimi i grupeve të punës, për përgatitjen e materialeve ndihmëse, duke përfshirë
edhe dy organizma ekumenike laike: Federatën Botërore të Shoqatave të Krishtera të
Rinisë Mashkullore (YMCA) dhe atë Femërore (YWCA). Sot, materialet ndihmëse botohen
në gjuhë të ndryshme dhe ruhen në faqen e internetit të Këshillit Ekumenik të Kishave
dhe në atë të Selisë së Shenjtë, në sektorin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit
të të Krishterëve.