2014-01-26 10:49:44

E diela pa punë: thirrje evropiane për mbrojtjen e jetës private e familjare


Sot është e diel. Ditë feste. Po për ç’festë mund të flitet, kur zgjohesh qëmenatë për të shkuar në punë? Si çdo ditë tjetër? Kur nuk mund ta ndjekësh më Meshën në atë orar, që të është bërë i nevojshëm për shpirtin? Kur duhet t’i harrosh çastet e prehjes, e të mendosh vetëm për fitimin e ditës? Për ç’festë mund të flitet, kur nuk mund të merresh as në këtë ditë, kur pushoi vetë Zoti, pasi krijoi gjithësinë, me krijesat tua, me fëmijët e me mjedisin familjar, që e ke krijuar me aq dashuri e që flet me një gjuhë të ndryshme, nga jo e punës së përditshme? “E diela e lirë, pa punë e oraret e përshtatshme, kanë rëndësi themelore për qytetarët dhe punëtorët në mbarë Evropën. E nuk janë, doemos, në kundërshtim me aftësitë konkuruese ekonomike të njeriut e të vendit ku punon”.
Ky është fillimi i impenjmit, që mori formën e thirrjes, të martën e kaluar, në Bruksel, në përfundim të Konferencës së dytë, organizuar nga Besëlidhja Evropiane për të Dielën, në të cilën bëjnë pjesë rreth pesëdhjetë shoqata, sindikata e lëvizje të shoqërisë civile, nga të gjitha vendet e BE-së. Ndërmjet tyre, edhe Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece).
Pas një dite të tërë diskutimesh, në selinë e Euroasamblesë, ku u dëgjua fjala e 120 pjesëmarrësve, që prekën aspekte me karakter ekonomik, shoqëror e kulturor rreth temës “E diela, pa punë”, u shkrua edhe teksti përfundimtar, me autor, një grup eurodeputetësh.
“Posaçërisht në këto kohë krize ekonomike, njofton agjencia Sir, adoptimi i ligjeve për shtrirjen e orareve të punës deri natën vonë, në kremtimet kombëtare e edhe të dielave, pati pasoja të drejtpërdrejta mbi kushtet e jetesës së punonjësve e edhe të ndërrmarrjeve të vogla e të mesme”.
Në tekstin e thirrjes lexohet edhe një përkufizim, që u bë i njohur pa filluar mirë punimet e Konferencës: “Konkurenca ka nevojë për risim, risimi ka nevojë për frymë krijuese e fryma krijuese, për çlodhje”. Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, që nënshkruan dokumentin, u impenjuan, në rast se do të zgjidhen përsëri, të sigurojnë që të gjitha normativat e BE-së, të cilat kanë të bëjnë me këtë temë, të respektojnë e të nxisin mbrojtjen e një dite pushimi në javë, pushim që duhet të përkojë me parimin e së dielës, me qëllim që të mbrohet shëndeti i punëtorëve, të krijohet drejtpeshim më i mirë ndërmjet jetës familjare, asaj private e punës. U zotuan edhe për krijimin e normativave komunitare, që garantojnë skema të orareve të punës, bazuar mbi parimin e punës së këndshme, shumë më e dobishme për shoqërinë, ashtu edhe për ekonominë, në tërësinë e saj. Gjë që nuk mund të thuhet për punën që shndërrohet në torturë e skllavëri.
Sot është e diel. Njerëzit kanë nevojë të çlodhen. Të shkojnë familjarisht në kishë, ku i thërret shpirti. Të mblidhen së bashku rreth sofrës, shtruar për festë. Të qajnë e të qeshin bashkë, në mjediset e ngrohta familjare, duke shkarkuar barrën e mendimeve e të shqetësimeve të gjithë javës. Pa harruar se pikërisht gjatë orëve të prehjes, mendja e zemra njerëzore punojnë më me përkushtim se kurrë, duke i hapur rrugën një jave risish, kur mund t’i vënë në jetë idetë që u lindën në sa dilnin nga kisha, nësa shëtisnin me fëmijë për dore, nësa merreshin me sport a nësa preheshin, duke dëgjuar muzikën e preferuar. E diela është bërë për këto orë prehjeje. Pa to, puna e paprerë do të shndërrohej në humbje të interesit për punë, duke krijuar atë amulli, që ndjehet gjithnjë më fort në Evropën e sotme.
Një javë pa të diel është shqetësuese. Një vit pa të diela, është vetvrasës për korpin e për shpirtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.