2014-01-24 13:19:18

Mesazhi i episkopateve evropiane në Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve


Me rastin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që do të përfundojë nesër, presidenca e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), mbledhur në Gjenovë të Italisë, u bën thirrje të krishterëve të punojnë për ta dëshmuar së bashku Krishtin në të gjitha fushat e jetës. “Krishti nuk mund të jetë i ndarë” , shkruhet në mesazhin e ipeshkvijve, që i referohen temës së Javës. “Kjo është ftesë të mos e përdorim Krishtin për të justifikuar mosmarrëveshjet e ndarjet tona. Krishti nuk është pronë personale, dhurohet. Kërkimi e pranimi i mesazhit të krishterë nuk mund të mos çojë drejt dëshmisë së përbashkët, drejt pranimit të dhuratave, që Zoti i ka dhënë secilit prej besimtarëve të vet, si dhurata të gjithë Kishës. ‘Krishti s’mund të jetë i ndarë’ është provokim, që ta kumtojmë katërcipërisht Lajmin e shëlbimit të njeriut. Është provokim për të mos e paraqitur figurën e Zotit bërë njeri, si diçka që nuk i prek e madje i justifikon rehatitë tona. ‘Krishti s’mund të jetë i ndarë’ është nxitje për shoqëritë e Evropës, gjithnjë e më tepër shumëfetare, ta dëshmojnë bashkërisht afërsinë e Hyjit me njeriun bashkohor. ‘Krishti s’mund të jetë i ndarë’ është thirrje për çdo evropian të mos e ndajë përmasën fetare ndërmjet sferës publike e asaj private, të mos e përbuzë dhuratën e jetës, duke vendosur vetë ç’jetë është e denjë për t’u jetuar, e të mos lejojë të udhëhiqet nga iluzione të rreme, por t’i bëjë vend shpresës. E së fundi, shkruan presidenca e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, ‘Krishti s’mund të jetë i ndarë” është siguri se asgjë s’mund ta copëzojë dashurinë e Zotit për njeriun”. Në fund të mesazhit, ipeshkvijtë e Evropës shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen në Siri, në veçanti, për bashkësitë e krishtera në vend, duke u bashkuar me lutjen për paqen të Papës Françesku.







All the contents on this site are copyrighted ©.