2014-01-24 18:11:38

Imzot Çullikat në OKB: duhet risuar procesi i paqes në Lindjen e Mesme


“Gjeneva 2”, shpresë për Sirinë. Bisedimet izraelito-palestineze, të nevojshme për të arritur në një paqe, që pritet prej kohësh. Para sesionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbledhur për të diskutuar gjendjen e përgjithshme në Lindjen e Mesme, në veçanti atë palestineze, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, imzot Frensis Çullikat theksoi të hënën, qëndrimin e Selisë së Shenjtë për të dyja këto çështje. Bisedimet izraelito-palestineze, denoncoi ai, shpesh janë përdorur thjesht për diskutime politike, pa sjellë asgjë konkrete:
“Paqja nuk është mungesë lufte, kërkon që të vendoset drejtësia për të gjithë popujt e për të gjitha bashkësitë. Si rrjedhojë, delegacioni im e bashkon edhe një herë zërin me të gjithë njerëzit vullnetmirë, që presin me shpresë të madhe, rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta, serioze e konkrete, në mënyrë që procesi i risuar i paqes të sjellë perspektiva më të mira për të ardhmen”.
Më pas, vëzhguesi vatikanas e hodhi vështrimin mbi Sirinë e mbi konferencën e paqes “Gjeneva 2”. Në fjalët e tij, gjetën jehonë reflektimet e Papës Françesku mbi kotësinë e ndeshjes me armë për zgjidhjen e problemeve. Në emër të Selisë së Shenjtë, imzot Çullikat kërkoi armëpushimin e menjëhershëm, kujdesin për viktimat e konfliktit brenda e jashtë Sirisë dhe mbështetjen ndërkombëtare për rindërtimin e vendit:
“Qofshin bisedimet ‘Gjeneva 2” rasti për një reflektim të ri mbi kriteret që duhet ta bëjnë të rinisë nga e para këtë komb, lënë pre e shkatërrimit të patregueshëm, me shumë humbje jetësh njerëzore. Urgjenca e vendosjes së paqes të triumfojë mbi zgjidhjen e çështjeve të tjera politike e shoqërore. Ndërtimi i së ardhmes të parashikojë forma të reja pjesëmarrjeje politike e përfaqësie, që të garantojnë zërin e sigurinë e të gjitha grupeve, të cilat e konsiderojnë Sirinë shtëpinë e tyre”.
Nuk ka kohë për përpjekje të çfarëdoshme e për zgjidhje të çastit, nguli këmbë imzot Çullikat. Vëzhguesi i Vatikanit vlerësoi negociatat e Këshillit të Sigurimit dhe të Gjermanisë me Iranin për çështjen bërthamore e së fundi, ngriti zërin për gjendjen e mjeruar të të krishterëve, të detyruar të ikin nga Lindja e Mesme për shkak të luftës në Siri, por edhe për fondamentalizmat, që i kërcënojnë:
“Do të jenë të nevojshëm dialogu ndërfetar e pajtimi për të rivendosur ekuilibrin në pluralizmin e pasur e të ndërlikuar të shoqërisë siriane. Selia e Shenjtë është gati të mbështesë të gjitha bashkësitë fetare, në përpjekjet e tyre për gjetjen e rrugëve të reja të mirëkuptimit, pas këtyre viteve të dhunës, të hakmarrjes e të armiqësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.