2014-01-24 12:03:18

Imzot Mamberti: SHBA dhe Selia e Shenjtë duhet të bashkëpunojnë më shumë për drejtësinë dhe paqen në botë


Tridhjetë vjet më parë, më 30 janar, Selia e Shenjtë dhe Shtetet e Bashkuara vendosnin marrëdhëniet e plota diplomatike. Për të kremtuar këtë përvjetor, ambasada e Shteteve të Bashkuara pranë Selisë së Shenjtë ka hapur një ekspozitë fotografike në Pallatin e Kancelarisë, në Romë. Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Dominique Mamberti.RealAudioMP3
Gjoni XXIII, duke i buzëqeshur Eisenhower-it, Pali VI, duke pritur presidentin e parë katolik Kennedy dhe, më tej, takimet e shumta të përzemërta të Gjon Palit II me Reagan-in, të cilët para 30 vjetësh vendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Washingtonit dhe Selisë Apostolike. Janë disa nga shkrepjet historike të serisë fotografike në Pallatin e Kancelarisë, në Romë. Ekspozita tregon edhe vizitat që presidentët Bush e Obama i kanë bërë Benediktit XVI, ndërkohë që Obama do të vijë në Vatikan më 27 mars. Organizatori i Ekspozitës, Kenneth F. Hackett, foli pikërisht për këtë takim të caktuar, në fjalimin e tij:
Me rastin e këtij tridhjetëvjetori, kremtojmë marrëdhëniet e forta dhe pozitive, rëndësia e të cilave është theksuar së voni me vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Vatikan, ku takoi Imzot Parolinin. Tani shikojmë drejt 27 marsit, kur presidenti Barack Obama do të vijë për të takuar Papën Françesku në Vatikan.
Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe Imzot Dominique Mamberti, sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shetet, i cili shprehu një urim të veçantë:
Uroj që miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhen gjithnjë e më të forta, në familjen e kombeve, që bota të mund të përparojë në ndërtimin e paqes, të drejtësisë e të vëllazërisë.
Mbi domethënien dhe vlerën e kësaj ekspozite, me rastin e tridhjetëvjetorit të marrëdhënieve SHBA-Selia e Shenjtë, Radio Vatikani pyeti Mario Mesquita-n, zëvendëskryetar i misionit të ambasadës amerikane në Vatikan:
Domethënia është kremtimi i përvjetorit të marrëdhënieve dhe roli i Kishës në botë. Në fakt, ndër fotografitë e ekspozuara, janë edhe Rosa Parks, Martin Luther King junior dhe shembuj të tjerë të kulturës amerikane, që kanë vizituar Atin e Shenjtë në vite. Janë një shenjë e rëndësisë së Selisë së Shenjtë dhe e rolit të Kishës në Shtetet e Bashkuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.