2014-01-23 13:43:41

Papa Françesku: smira të mos zërë vend në zemrën tonë


Të krishterët t’ia mbyllin derën xhelozisë, smirës dhe thashethemeve, që i përçajnë dhe i shkatërrojnë bashkësitë tona. Është thirrja, që bëri sot Papa, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.
Papa e shtjelloi homelinë, duke u mbështetur në leximin e parë, që flet për fitoren e izraelitëve kundër filistejve, falë guximit të Davidit. Gëzimi i fitores shndërrohet shpejt në trishtim e xhelozi për mbretin Saul, përballë grave, që lavdërojnë Davidin për vrasjen e Golisë. Atëherë, “ajo fitore e madhe – pohon Papa Françesku – fillon të bëhet disfatë në zemrën e mbretit” në të cilën gjarpëron, siç ndodh me Kainin, “krimbi i xhelozisë dhe smirës”. Sikurse Kaini me Abelin, mbreti vendos të vrasë Davidin. “Kështu vepron xhelozia në zemrat tona – thotë Papa – është një trazim i mbrapshtë, i cili nuk lejon që një vëlla ose në motër të ketë diçka që unë nuk kam”. Sauli, “në vend që të lëvdojë Hyjin, siç bënin gratë e Izraelit, për këtë fitore, parapëlqen të mbyllet në vetvete, të hidhërohet” dhe “t’i ziejë ndjenjat e veta në lëngun e hidhërimit”:
“Xhelozia çon në vrasje. Smira çon në vrasje. Pikërisht nëpër këtë derë, nëpër derën e smirës, hyri djalli në botë. Bibla thotë: ‘nga smira e djallit, në botë hyri e keqja’. Xhelozia dhe smira ua hapin derën të gjitha të këqijave. Dhe ndajnë edhe bashkësinë. Një bashkësi e krishterë, kur vuan –disa prej gjymtyrëve – nga smira, nga xhelozia, përfundon e ndarë: njëri kundër tjetrit. Është një helm i fortë ky. Është helmi që e gjejmë në faqet e para të Biblës, me Kainin”.
Në zemrën e një njeriu të goditur nga xhelozia dhe smira – nënvizon Papa – ndodhin dy gjëra shumë të qarta. E para është hidhërimi:
“Njeriu smirëzi, njeriu xheloz, është njeri i hidhur: nuk di të këndojë, nuk di të lëvdojë, nuk di çfarë është gëzimi, por rri gjithmonë duke pyetur: çfarë ka ai, që unë s’e kam?’. E kjo e çon drejt hidhërimit, drejt hidhërimit, që përhapet në krejt bashkësinë. Këta janë mbjellësit e hidhërimit. Dhe gjëja e dytë, që sjell xhelozia e smira, janë thashethemet. Kërko gjithmonë e do të shohësh se përtej thashethemeve gjendet xhelozia e smira. Thashethemet e përçajnë bashkësinë, e shkatërrojnë bashkësinë. Janë armët e djallit”.
Sa bashkësi të bukura të krishtera – tha Papa – ecnin si duhet, por pastaj tek njëri nga anëtarët ka hyrë krimbi i xhelozisë dhe i smirës dhe, me këtë, trishtimi, ngurtësimi i zemrës dhe thashethemet. “Kush është nën ndikimin e xhelozisë dhe smirës – theksoi Papa – vret”, siç thotë apostulli Gjon: “Kush e urren vëllain e vet, është vrasës”. Dhe “smirëziu, njeriu xheloz, fillon ta urrejë vëllain”. Pastaj përfundoi:
“Sot, në këtë Meshë, të lutemi për bashkësitë tona të krishtera, që kjo farë e xhelozisë të mos mbillet ndër ne, që smira të mos zërë vend në zemrën tonë, në zemrën e bashkësive tona, dhe kështu të mund të ecim përpara, duke lavdëruar Zotin, duke i dhënë lavdi atij, me gëzim. Është një hir i madh, hiri për të mos rënë në trishtim, për të mos pasur ndjenja të këqija, për të mos rënë në xhelozi e smirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.