2014-01-23 13:42:41

Papa Françesku: komunikatori të jetë si Samaritani i Mirë, pushteti i tij është afërsia


Pushteti i vërtetë i komunikimit është “afërsia”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën e 48-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që do të kremtohet më 1 qershor. Ati i Shenjtë reflekton mbi “komunikimin, në shërbim të kulturës së vërtetë të takimit” dhe e krahason komunikatorin me Samaritanin e Mirë, që u qëndron afër të tjerëve. Në dokument i jepet rëndësi e veçantë ambientit dixhital, pra pranisë së të krishterëve në rrjetet shoqërore, ku janë të thirrur të dëshmojnë Krishtin në “periferitë ekzistenciale”, që Ati i Shenjtë i gjen edhe në internet.
Në një botë, që bëhet gjithnjë e më e vogël, por ku vazhdojnë të ekzistojnë ndarje e mënjanime, mediat mund të na ndihmojnë ta ndjejmë më afër njëri-tjetrin. Që këndej e fillon meditimin e tij Papa Françesku për mesazhin e parë drejtuar botës së komunikimeve shoqërore, pra botës së gazetarëve e të punonjësve të tjerë të saj. E këtu, dalin në pah argumentet e dashura për Papën Bergolio, si “kultura e takimit”, e cila mund të ndërtohet edhe përmes mediave e internetit, që na japin mundësi të njihemi, të japim e të marrim, të solidarizohemi me të tjerët. Ati i Shenjtë nuk mungon të vërë në dukje aspektet problematike, si për shembull, “shpejtësinë e informacionit”, e cila nganjëherë nuk na jep kohë reflektimi e gjykimi. Dëshira për t’u lidhur me internet me të tjerët mund të na izolojë, paralajmëron Papa, për të mos folur për ata, që nuk e kanë këtë mundësi lidhjeje, prandaj mund të mënjanohen krejtësisht.
Pavarësisht nga këto kufizime, vazhdon Ati i Shenjtë, mediat shoqërore, si rrjetet shoqërore e të ngjashme me to, nuk duhen demonizuar, por duhet të na kujtojnë se komunikimi mbetet gjithnjë nevojë e fitore njerëzore e jo thjesht, teknologjike. Edhe në ambientin dixhital, Papa fton të rikthehemi sërish në një lloj ngadalësie e qetësie, për të kuptuar me kë po komunikojmë, cili është njeriu – ndoshta i ndryshëm krejtësisht prej nesh – që ka nevojë të ndjehet i kuptuar e i pranuar e jo thjesht, i toleruar. Kështu, mund të mësojmë nga kulturat e traditat e ndryshme e të vlerësojmë vlerat e frymëzuara nga krishterimi, si këndvështrimi mbi njeriun, martesën e familjen, dallimi ndërmjet sferës fetare e sferës politike etj..
“Atëherë – pyet Papa Françesku – si mund të vihet komunikimi në shërbim të një kulture të vërtetë takimi?” E për të krishterin, “ç’do të thotë të takohet me një person, sipas Ungjillit?” Përgjigjja e Atit të Shenjtë merr shkas nga shembëlltyra e Samaritanit të Mirë, nga e cila nënvizon përmasën e “afërsisë”. “Kush komunikon, të bëhet i afërt. E samaritani i mirë, jo vetëm bëhet i afërt, por e merr në ngarkim atë njeri, që e sheh gjysëm të vdekur, në buzë të rrugës”. Jezusi, vazhdon mesazhi i Papës, e ndryshon perspektivën: nuk është fjala për ta konsideruar tjetrin si dikë të ngjashëm me mua, por është në lojë aftësia ime për t’u bërë i ngjashëm me tjetrin. “Më pëlqen – shkruan Papa – ta përkufizoj këtë pushtet të komunikimit si ‘afërsi’”.
Duke vazhduar përsiatjen e tij, me bazë shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, Ati i Shenjtë vuri në dukje se kur “komunikimi ka si qëllim kryesor të nxisë konsumin, ose të manipulojë njerëzit, ndodhemi përpara një sulmi të dhunshëm, ashtu si ai kundër njeriut të rrahur nga kusarët e të braktisur përgjatë rrugës”. Sot, paralajmëron Papa, ka rrezik që disa media të na kushtëzojnë deri në atë pikë, sa të mos takohemi kurrë me njeriun real, por vetëm me atë virtual. Nuk mjafton të lidhemi në internet, thekson Ati i Shenjtë, duhet të takohemi me njerëzit, të mos mbyllemi në vetvete, të mos jetojmë të veçuar. Nuk janë strategjitë e komunikimit ato që garantojnë bukurinë, mirësinë e vërtetësinë e komunikimit; rrjeti dixhital nuk është ndërthurje telash, por njerëzish. Neutraliteti i mediave, thekson Papa, është i tillë vetëm në dukje: vetëm ai që komunikon, duke marrë përsipër përgjegjësinë për atë që thotë, mund të bëhet pikë referimi e besueshme. Vetëm në këtë mënyrë, nënvizon Ati i Shenjtë, dëshmia e krishterë, falë rrjetit, mund të arrijë në periferitë ekzistenciale.
Papa ndalet më pas në udhët dixhitale, mbushur me njerëz, që shpesh kanë plagë të hapura në shpirt, që kërkojnë shëlbim, ose një shpresë sado të vogël. “Ti hapësh dyert e kishave – u drejtohet Ati i Shenjtë meshtarëve e rregulltarëve – do të thotë t’i hapësh edhe në ambientin dixhital, si për t’i ftuar njerëzit të hyjnë, ashtu edhe për t’i dhënë mundësi Ungjillit të kapërcejë pragun e tempullit e të dalë në takim me të gjithë. Papa pyet nëse jemi të aftë sot të dëshmojmë se Kisha është shtëpia e të gjithëve. Komunikimi, vëren, ndihmon për t’i dhënë formë thirrjes misionare të krejt Kishës, e cila, duhet të sjellë ngrohtësi e të ndezë zemrat, edhe përmes komunikimit. Dëshmia e krishterë nuk jepet duke i bombarduar njerëzit me mesazhe fetare, por me anë të dhurimit të vetvetes për të tjerët. Ati i Shenjtë citon më pas episodin e dishepujve të Emausit dhe shpjegon se duhet të dimë si të hyjmë në dialog me burrat e gratë e kohës së sotme, për t’i kuptuar aspiratat, dyshimet, shpresat e tyre e për t’u kumtuar pastaj Ungjillin. Mesazhi për Ditën e Komunikimeve Shoqërore vë kështu theksin mbi dialogun. “Dialog – shkruan Papa Françesku – do të thotë të jesh i bindur se tjetri ka diçka të mirë për të thënë, do të thotë t’i lesh vend këndvështrimit e propozimeve të tij”. Kjo nuk u kërkon njerëzve të heqin dorë nga idetë e traditat e tyre, por të lenë, pa dyshim, mënjanë pretendimin se ato janë unike dhe absolute.
Ikona e Samaritanit të Mirë, uron Papa, qoftë udhëheqësja e komunikimit, që ai të jetë vaj i parfumuar për dhimbje dhe verë e mirë për gaz. E duke pasur parasysh aureolën, që i vihet ndonjë gazetari, Papa pohon se drita e çdo komunikatori të mirë nuk duhet të vijë nga truket e efektet speciale, por nga aftësia i tij për t’u bërë i afërt me kë takon gjatë rrugës. “Mos kini frikë të bëheni qytetarë të ambientit dixhital – u thotë të krishterëve – është i rëndësishëm kujdesi e prania e Kishës në botën e komunikimit, për të dialoguar me njeriun e sotëm e për ta çuar atë drejt takimit me Krishtin”. Në këtë kuadër, përfundon Papa Françesku, “revolucioni i mjeteve të komunikimit e të informacionit është një sfidë e madhe dhe apasionuese, që kërkon energji të freskëta e imagjinatë të re për t’u transmetuar të tjerëve bukurinë e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.